Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hetuesit bastisin banesën e Giulianit në New York City

Hetuesit federalë në Manhattan kanë ekzekutuar të mërkurën urdhrin për bastisje në banesën e Rudy Giulianit, kryebashkiakut të dikurshëm të New York Cityt dhe më vonë edhe avokatit personal të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Bastisja është pjesë e hetimeve kriminale për lidhjet e Giulianit me Ukrainën, kanë bërë të ditur dy burime të afërta me hetimet, duke folur për gazetën amerikane “New York Times”. Hetuesit kanë konfiskuar pajisje elektronike dhe kanë kryer kërkime edhe në zyrën e Giulianit në Park Avenue. Rasti shënon një pikë kthese në hetimet ndaj Giulianit, i cili ishte kryebashkiak i New Yorkut kur qyteti ishte goditur nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të 2001-s. Në kuadër të hetimeve, autoritetet federale janë përqendruar në zbardhjen e përmasave të përfshirjes së Giulianit në përpjekjet e presidentit të mëhershëm për ta njollosur rivalin e tij demokrat, Joe Biden, dhe për të ushtruar presion mbi Ukrainën me qëllim të inicimit të hetimeve kundër Bidenit dhe të birit të tij, Hunter, i cili tani po përballet me hetime kriminale lidhur me taksat.

Artikuj të ngjashëm