Botë

Heshtja ukrainase për kundërofensivën e shumëpritur

Ndonëse Kievi nuk ka zyrtarizuar fillimin e një kundërofensive, luftimet po zhvillohen në disa fronte të vijës së parë, duke sinjalizuar se fushata e shumëpritur mund të jetë duke nisur. Ndërkohë Ukraina po akuzon Moskën për luftë hibride, sipas saj, për të demoralizuar ukrainasit dhe për të mashtruar komunitetin

Një video, e publikuar gjatë fundjavës nga Ukraina, tregon disa nga ushtarët e saj me mjete luftarake duke ngritur një gisht afër buzëve të tyre. “Planet e duan heshtjen. Nuk do të ketë njoftim për fillimin”, thuhet në tekstin që shfaqet në ekran më pas.

Moska pretendon se ka shmangur me sukses një përpjekje ukrainase për të kapërcyer mbrojtjen e Rusisë, por disa blogerë ushtarakë pro-Kremlinit japin një pamje ndryshe, duke pranuar se trupat e Kievit arritën disa fitore të shpejta.

“Operacionet e formësimit”

Në javët e fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet mbi pozicionet ruse dhe ka shmangur me sukses përpjekjet e Rusisë për të shtrirë fitoret e saj jashtë qytetit lindor të Bakhmutit, të cilin ajo e fitoi muajin e kaluar në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës.

Grupet paramilitare pro-Kiev të rusëve, të cilët luftojnë përkrah forcave të armatosura ukrainase, gjithashtu nisën sulme mbi kufirin në territorin rus, duke sulmuar rajonin e Belgorodit.

Granatimet ukrainase dhe inkursionet ndërkufitare shkatërruan disa qytete dhe fshatra pranë kufirit dhe detyruan evakuimin e mijëra banorëve, duke zemëruar skifterët rusë që kritikuan Kremlinin për dështimin për t’u kundërpërgjigjur me vendosmëri.

Dhe më 30 maj, një sulm i rrallë me dron pati në shënjestër Moskën, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla, por duke ekspozuar defekte të dukshme në mbrojtjen ajrore të kryeqytetit dhe duke nënvizuar cenueshmërinë e saj.

Analistët ushtarakë i përshkruajnë sulmet si pjesë të "operacioneve të formësimit", një seri lëvizjesh që synojnë të hetojnë mbrojtjen ruse, të detyrojnë Moskën të zvogëlojë numrin e forcave të saj dhe të tërheqë vëmendjen nga zonat ku Ukraina mund të përqendrojë kundërsulmin e saj.

Ushtria ruse, nga ana tjetër, ka intensifikuar sulmet thellë brenda Ukrainës, duke nisur një breshëri sulmesh, me dron dhe raketa, pothuajse të përditshme kundër objekteve ushtarake me vlerë të lartë.

Rusia deklaroi se shkatërroi sistemet e mbrojtjes raketore Patriot në Kiev, sistem i prodhuar në SHBA. Po ashtu deklaroi se goditi me sukses selinë e inteligjencës ushtarake, gjithashtu në kryeqytetin ukrainas, dhe goditi bazat ajrore dhe rezervat e armëve në disa rajone. Këto pretendime nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur. Zyrtarët ukrainas pranuan disa nga sulmet, por i kanë mbajtur fshehtë dëmet.

Blogerët ushtarakë rusë i përshkruan ato si pjesë të përpjekjeve të Moskës për të prishur kundërsulmin duke zbutur mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe duke shkatërruar armët dhe municionet perëndimore të destinuara për fushatën.

Në Washington, një zyrtar amerikan që foli në kushte anonimiteti, tha: "Ne nuk kemi arsye të besojmë se ndonjë veprim rus ka pasur ndonjë efekt prishës në operacionet në pritje ose në vazhdim të Ukrainës".

Lufta hibride

Të dyja palët kanë kërkuar të mashtrojnë dhe dobësojnë njëra-tjetrën përmes propagandës dhe dezinformimit.

Të dielën, Ukraina kreu disa sulme kibernetike në Krime për të transmetuar një deklaratë kërcënuese të ushtrisë ukrainase në lidhje me kundërsulmin.

Në një lëvizje të paprecedent, që synonte të minonte moralin, transmetimet në disa rajone ruse u hakuan të hënën ku u lëshua një fjalim i rremë i presidentit Vladimir Putin, në të cilin u dëgjua një zë i ngjashëm me të tijin duke shpallur gjendjen ushtarake, një mobilizim mbarëkombëtar dhe një evakuim masiv të tri rajoneve kufitare.

Kievi, nga ana tjetër, akuzoi Moskën për luftë hibride. Zyrtarët e Kievit thanë se pretendimet ruse për një përpjekje të madhe ukrainase për të shpuar mbrojtjen ruse ishin pjesë e "operacioneve informative dhe psikologjike", që synonin "të demoralizonin ukrainasit dhe të mashtronin komunitetin".

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, u tall me pretendimet ruse si "realitet virtual", duke thënë në mënyrë ironike: "Moska është tashmë e përfshirë në mënyrë aktive në zmbrapsjen ...e një ofensive globale që ende nuk ekziston".

Goditja kryesore

Analistët ushtarakë thonë se Ukraina është përpjekur të fshehë synimet e saj duke nisur sulme të shumta në disa sektorë të vijës së frontit për të detyruar Rusinë të shpërndajë burimet e saj dhe t'i shpërqendrojë ato nga vendi ku do të fillonte sulmi kryesor.

“Sulmet në rajonet Zaporizhzhia dhe Donetsk, zhvillimet në rajonin e Belgorodit të Rusisë dhe sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj depove ushtarake ruse në pjesën e pasme janë të gjitha pjesë e përgatitjeve për kundërofensivë ukrainase”, tha analisti ushtarak ukrainas, Roman Svitan. "Kievi po kërkon pikat e dobëta të Rusisë dhe po përpiqet të përhapë frontin sa më gjerë që të jetë e mundur".

Shumë ekspertë ushtarakë presin që Ukraina të përpiqet të kalojë përmes mbrojtjes ruse drejt bregut të Detit Azov për të thyer korridorin tokësor për në Krime që Moska e krijoi pasi pushtoi portin kyç të Mariupolit në maj të vitit 2022.

Zyrtarët rusë dhe blogerët ushtarakë sugjeruan se sulmet e fundit në pjesën jugore të rajonit të Donetskut dhe rajonin fqinj Zaporizhzhia që filluan të dielën mund të paralajmërojnë fillimin e asaj shtytjeje të madhe.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Ukraina të dielën dërgoi disa batalione në përpjekje për të kapërcyer pozicionet mbrojtëse ruse.

Disa blogerë ushtarakë rusë ofruan një pikëpamje më pak optimiste, duke thënë se trupat ukrainase arritën të përfitonin diçka të dielën dhe po shfrytëzonin më shumë burime për të siguruar atë sukses. Disa thanë se, për herë të parë, tanket Leopard të prodhimit gjerman u panë në një numër të konsiderueshëm në zonë.

Detyrat dhe sfidat

Pavarësisht nëse luftimet e fundit shënojnë apo jo fillimin e kundërofensivës të Ukrainës, shumë vëzhgues paralajmëruan kundër pritshmërive për një përparim të shpejtë që mund t'i japë fund luftës.

"Ne duhet të kuptojmë se ajo që ne po e quajmë kundërofensivë e Ukrainës nuk është si një ndeshje futbolli", tha gjenerali, Richard Barrons, ish-komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar. “E dini, nuk do të bëhet dhe nuk do të përfundojë në 90 minuta. Kanë kaluar të paktën nëntë muaj në përgatitje në kuptimin që u është dashur të mbledhin armë dhe municione nga NATO-ja. Nuk mjafton, mendoj, deri tani”.

Barrons, i cili është bashkëkryetar i grupit këshillues, Universal Defense & Security Solutions, vuri në dukje se Rusia ka forcuar trupat e saj, ka rimbushur disa nga rezervat e saj të municionit dhe ka ndërtuar linja komplekse mbrojtëse.

“Rusia ka pasur kohë për të hartuar një libër shkollor për mbrojtjen fikse me tre rreshta llogore dhe pozicione që lejojnë tanket të dalin përpara për të qëlluar kundër sulmuesve. Ata do të kenë përsëritur planin e zjarrit të artilerisë në mbështetje të mbrojtjes së atyre linjave dhe do të kenë përsëritur kundërsulmet e shpejta vendimtare, të cilat janë kaq jetike kur përpiqeni të rivendosni një linjë që po sulmohet”, shtoi Barrons.

Ai parashikoi se Ukraina do të përpiqet të përqendrojë nëntë brigadat e saj të sapoformuara të armatosura me armë perëndimore për të përshkuar mbrojtjen ruse në vetëm një, dy ose tri vende, duke u përpjekur të përqendrojë forcat e saj për të pasur një epërsi të konsiderueshme numerike “në mënyrë që të depërtojnë në rrugën e tyre dhe pastaj të shfrytëzojnë dhe mbahen për tokën që kanë marrë”.

Ofensiva “do të jetë, në kuptim tokësor, një front mjaft i ngushtë”, tha ai.

“Do të habitesha nëse është më shumë se 32 kilometra, për të qenë i sinqertë”, shtoi Barrons. "Suksesi në fushën e betejës duhet të jetë i mjaftueshëm për të treguar shpresë dhe perspektivë për t'u lidhur në mbështetje të mëtejme strategjike".

Ai theksoi se ushtria ruse ka marrë mësim nga pengesat e saj vjeshtën e kaluar kur u tërhoq nga zona të mëdha në rajonet e Kharkivit dhe Khersonit nën barrën e një kundërofensive ukrainase, duke vënë në dukje se mund të jetë më sfiduese këtë herë për Ukrainën që të shtyjë rusët jashtë.

“Gjëja që është më e rëndësishme në lidhje me këtë ofensivë është se sa herë që vjen, sado e suksesshme të jetë, thjesht nuk është e mundur që ajo të dëbojë çdo rus nga Ukraina, nëse rusët nuk vendosin të heqin dorë dhe të largohen”, tha Barrons. "Dhe ata nuk do ta bëjnë këtë".

Perëndimi duhet të mobilizojë industritë e tij ushtarake për të rritur mbështetjen për Ukrainën për ta lejuar atë të fitojë, tha ai.

"Çelësi i kësaj kundërofensive është të tregosh sukses të mjaftueshëm në fushën e betejës për t'i treguar Perëndimit se gjëja e duhur dhe e arsyeshme që duhet bërë është të vazhdohet me mobilizimin industrial", tha Barrons, duke vlerësuar se Evropa duhet të shpenzojë rreth 100 miliardë euro në vit për tre vjetët e ardhshëm.

Përktheu: Forca Jashari