Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Harris për krizën në Ukrainë: Bota në një moment vendimtar në histori

Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka thënë të shtunën se bota ka arritur në një moment vendimtar në histori.

Kështu është shprehur ajo pasi administrata Biden ka paralajmëruar se një pushtim rus i Ukrainës mund të ndodhë gjatë ditëve në vijim.

Gjatë një takimi me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, Harris u zotua se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj sovranitetit të Ukrainës.

Zëvendëspresidentja gjithashtu mbajti një konferencë për të përsëritur premtimin e administratës Biden për të goditur Rusinë me sanksione të dëmshme ekonomike nëse ajo pushton përsëri Ukrainën, pas aneksimit të Krimesë në 2014.

“Më lejoni të jem e qartë, mund të them me siguri absolute: nëse Rusia pushton Ukrainën, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, do të imponojnë kosto të konsiderueshme dhe të paprecedentë ekonomike”, tha Harris.

Harris iu drejtua konferencës vjetore të Mynihut një ditë pasi Presidenti Joe Biden tha se ishte "i bindur" se Vladimir Putin i Rusisë ka marrë vendimin për të pushtuar Ukrainën fqinje.

Edhe OpEd Kamala Harrisi duhet ta përmirësojë politikën e SHBA-së karshi Ukrainës

Në fillim të takimit me udhëheqësin e Ukrainës, Harris e quajti atë "një moment vendimtar në histori", teksa i tha Zelenskyyt: "Çdo kërcënim për vendin tuaj ne e marrim seriozisht".

Nga ana tjetër Zelenskyy tha se e kuptojnë qartë se çfarë po ndodh, teksa shprehi nevojën që aleatët perëndimorë të ndërmarrin "hapa specifikë", duke aluduar në kërkesat e Ukrainës për më shumë ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Zelenskyy gjithashtu vuri në dukje se me trupat ruse në kufijtë e vendit të tij, ushtria e Ukrainës në fakt "po mbron të gjithë Evropën".

Vetë Harris u shpreh për rrezikshmërinë e momentit në fjalimin e saj në konferencë, duke vënë në dukje se “që nga fundi i Luftës së Ftohtë ky forum nuk është mbledhur në rrethana kaq të rënda. Sot, siç e dimë të gjithë mirë, themeli i sigurisë evropiane është nën kërcënim të drejtpërdrejtë në Ukrainë," tha ajo.