Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hapet varri i shekullit të 15-të për të testuar teorinë mbi origjinën e Christopher Columbus

Studiuesit në Spanjë kanë hapur varrin e një kleriku të shekullit të 15-të dhe kanë zhvarrosur eshtrat e tij në një përpjekje për të testuar teorinë se Christopher Columbus ishte nga rajoni veriperëndimor spanjoll i Galicisë dhe jo nga Republika e Genoas.

Megjithëse eksploruesi besohet se ka lindur në Itali më 1451, disa argumentojnë se ai në fakt ka lindur në Spanjë – ose në Galicia, Katalonia, Valencia, Mallorca ose Guadalajara – ndërsa të tjerë kanë mbajtur qëndrimin se ai ishte në të vërtetë portugez.

Të hënën, një ekip konservatorësh, arkeologësh dhe antropologësh mjeko-ligjorë që punonin në kishën e San Martín de Sobrán në qytetin galician të Vilagarcía de Arousa hapën varrin e Johan Marinho de Soutomaior, një fisniku dhe kleriku, i cili, sipas kampit “Galician Columbus”, mund të ketë qenë kushëriri i eksploruesit, raportoi The Guardian.

ADN-ja do të merret nga shtatë fragmente eshtrash të nxjerra nga varri dhe më pas do të krahasohen me mostrat e marra nga mbetjet e Columbusit dhe ato nga vëllai dhe djali i tij.

Shoqata “Galician Columbus” që përkrah teorinë se Columbus erdhi nga rajoni përreth Pontevedras, thotë se mbiemri Colon (spanjisht për Columbus) është mirë i dokumentuar në atë zonë.

Columbus vdiq në qytetin spanjoll, Valladolid, më 1506, por dëshiroi të varrosej në ishullin Hispaniola, që sot ndahet nga Haiti dhe Republika Domenikane. Mbetjet e tij u dërguan atje më 1542, dhe u lëvizën në Kubë më 1795, që më pas të dërgoheshin në Seville më 1898 kur Spanja humbi Kubën pas luftës Spanjolle-Amerikane.