Në dekadat e fundit përparimet në kërkimin e ADN-së i kanë lejuar shkencëtarët të përdorin mbetjet e lashta dhe të shikojnë jetën e njerëzve të vdekur prej kohësh. Në Charleston kjo nënkuptonte gjurmimin e disa prej rrënjëve afrikane që u prenë nga skllavëria
(AP) - Në vitet 1700, një djalë lindi në skllavëri në Amerikën koloniale. Ai e kaloi jetën duke punuar në qytetin bregdetar të Charlestonit, Karolina e Jugut. Dhe kur vdiq në moshën e mesme, u varros së bashku me 35 skllevër të tjerë.
Kjo është historia e mundshme që studiuesit kanë zbuluar për njeriun – nuk ka asnjë të dhënë të shkruar për të apo të tjerët të varrosur në vendin e harruar prej kohësh. Emrat e tyre janë humbur, së bashku me çdo detaj të jetës së tyre. Por historitë e tyre tani tregohen përmes asaj që ka mbetur pas: kockave, dhëmbëve dhe, veçanërisht, ADN-së.
Në kërkim të rrënjëve
Në dekadat e fundit, përparimet në kërkimin e ADN-së i kanë lejuar shkencëtarët të përdorin mbetjet e lashta dhe të shikojnë jetën e njerëzve të vdekur prej kohësh. Në Charleston kjo nënkuptonte gjurmimin e disa prej rrënjëve afrikane që u prenë nga skllavëria.
“Ne po e rikthejmë në jetë kujtesën e tyre”, ka thënë Raquel Fleskes, antropologe në Universitetin e Connecticutit që studioi mbetjet. “Kjo është një mënyrë për t’ua rikthyer dinjitetin individëve që duhet ta kishin pasur gjithmonë këtë dinjitet”.
Projekti “Charleston” filloi një dekadë më parë, kur punëtorët e ndërtimit zbuluan mbetjet nën truallin e Qendrës Gaillard, një vend arti në qytet që po kalonte një zgjerim.
Që datojnë në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, mbetjet besohet se janë kryesisht nga njerëz të skllavëruar me origjinë afrikane që jetonin aty pranë. Disa prej tyre ka të ngjarë të ishin në mesin e rreth 175.000 afrikanëve të sjellë përmes portit të Charlestonit, një qendër për tregtinë transatlantike të skllevërve.
Qyteti i rivarrosi mbetjet në vend, ku është planifikuar një shatërvan përkujtimor. Por me pak detaje të regjistruara në dispozicion, anëtarët e komunitetit ishin gjithashtu të interesuar të përdornin shkencën për të mësuar më shumë rreth njerëzve, ka thënë Fleskes.
Kështu lindi Projekti Afrikan i Varrimit në Anson Street dhe studiuesit filluan të kërkonin të dhëna.
Mënyra e varrimit
Artefaktet nga vendi treguan se trupat u varrosën me kujdes, shpjegoi Theodore Schurr, antropolog në Universitetin e Pensilvanisë, i cili punoi në hulumtim. Disa prej tyre kishin rruaza në flokët e tyre ose monedha mbi sy. Mineralet në dhëmbët e tyre treguan se vetëm disa prej tyre kishin lindur në Afrikë, ndërsa shumica kishte të ngjarë të kishin lindur në skllavëri në Charleston ose aty pranë.
Shkencëtarët kërkuan gjithashtu ADN-në nga skeletet shekullore - duke shpuar mostra të vogla kockash dhe dhëmbësh, duke i bluar në pluhur, duke i përzier në një zgjidhje dhe duke filtruar gjithçka përveç ADN-së njerëzore. Ata ishin në gjendje të merrnin një material gjenetik për shumicën e 36 dhe gjenomeve të plota për gjysmën e tyre, të cilat u krahasuan me përbërjen gjenetike të njerëzve në Afrikë sot.
Rezultatet treguan se ata kishin lidhje me shumë vende të ndryshme përgjatë bregut të Afrikës Perëndimore, nga Gambia në Gabon. Ata ishin kryesisht meshkuj dhe kryesisht vdiqën si të rritur. Moshat e tyre varionin nga një fëmijë nën 3 vjeç në një burrë mbi 50 vjeç.
ADN-ja e tyre tregoi se ata nuk ishin të lidhur, përveç një çifti të mundshëm nënë-fëmijë.
Studiuesit gjithashtu ofruan teste të ADN-së për 78 afrikano-amerikanë që jetojnë në zonën e Charleston sot, ka bërë të ditur La'Sheia Oubré, e cila drejtoi edukimin e komunitetit për projektin. Deri më tani ata nuk kanë gjetur ndonjë të afërm të drejtpërdrejtë të atyre që janë varrosur në Anson Street.
Megjithatë, Oubré – e cila bëri një test të ADN-së – tha se ajo dhe anëtarët e tjerë të komunitetit i konsiderojnë ata familje.
“Ata kanë një histori të tillë për të treguar”, ka theksuar ajo. “Dhe për shkak se ata nuk kanë lidhje gjaku me ne, kjo nuk do të thotë se nuk është përgjegjësia jonë morale të kujdesemi për ta”.
Që kur u bë e mundur sekuenca e ADN-së nga mbetjet e lashta, teknologjia na ka kthyer në ditët e neandertalëve dhe mamuthëve.
Disa studiues kanë përdorur ADN-në e lashtë për të mbushur boshllëqet në historinë tonë më të re. Këtu përfshihen raste si Charleston, si dhe Projekti i Nju-Jorkut i Varreve Afrikane, i cili zbuloi detaje të reja për afrikanët dhe pasardhësit e tyre në Manhatan të shekullit të 18-të.
Nuk ka shumë të dhëna për këta njerëz, ka sqaruar Michael Blakey, antropolog që shërbeu si drejtor shkencor në Projektin e Nju-Jorkut. Të dhënat që janë në dispozicion fokusohen në gjëra të tilla si sa kushtojnë njerëzit e skllavëruar dhe çfarë lloj ligjesh janë përdorur për t’i kontrolluar ata, tha ai.
Zbulimi i historisë
Oubré ka thënë se ishte e fuqishme që ADN-ja të zbulonte disa nga “historia e vjedhur” e atyre që u varrosën në qytetin e saj.
“Të jem në gjendje t’i di të gjitha këto, është ende magjepsëse për mua”, ka thënë Oubré. “Ende thjesht më ngroh zemrën që ne jemi në gjendje të zbulojmë se nga vijmë – nga vijmë me të vërtetë”.
Në disa raste, kërkimet e lashta të ADN-së kanë sfiduar gjithashtu historinë që është shkruar për komunitete të caktuara.
E rritur në Porto-Riko, antropologia Maria Nieves-Colon e mësoi se popujt indigjenë të ishujve u zhdukën shpejt nga kolonizimi evropian dhe nuk ua kaluan gjenet e tyre njerëzve në ishull sot. Por pasi shikoi mbetjet e lashta nga ishulli në një studim të vitit 2020, Nieves-Colon zbuloi se ekzistonin lidhje gjenetike midis atyre grupeve indigjene dhe portorikanëve të ditëve të sotme.
Hulumtimet si ky tregojnë se “ne duhet të mendojmë më në mënyrë kritike për atë që ka mbetur në të dhënat historike”, ka thënë Nieves-Colon, i cili tani është në Universitetin e Minesotës.
Ndërsa ADN-ja e lashtë mund të jetë një mjet i fuqishëm për zbulimin e historisë, ajo duhet të përdoret me kujdes, vërejnë studiuesit, veçanërisht kur bëhet fjalë për grupet e cenueshme.
Ndryshe nga kërkimet mbi subjektet e gjalla, puna për mbetjet njerëzore të gjetura nuk kërkon që shkencëtarët të marrin pëlqimin, shpjegoi Krystal Tsosie, gjenetiste në Universitetin Shtetëror të Arizonës.
Dhe në të kaluarën, shumica e studiuesve nuk janë konsultuar me grupe si fiset vendëse ose pasardhës afrikanë përpara se të studiojnë mbetjet e paraardhësve të mundshëm.
Por kjo lloj pune ndikon në komunitetet e gjalla dhe ata duhet të jenë pjesë e bisedës, thanë studiuesit.
“Në shumë mënyra, ka të bëjë me pushtetin”, ka shpjeguar Blakey. “E drejta për ta treguar historinë tuaj”.
Përktheu: Blerta Haxhiu
