Kulturë

Arkeologët në gjurmë të pllakave hebraike të shekullit XIV në Kataluni

Këto pllaka besohet se janë sjellë nga varrezat hebreje të Castelló d'Empúries dhe datojnë prej gjysmës së dytë deri në fund të shekullit XIV

Këto pllaka besohet se janë sjellë nga varrezat hebreje të Castelló d'Empúries dhe datojnë prej gjysmës së dytë deri në fund të shekullit XIV

(The Jerusalem Post) – Gjatë gërmimeve të fundit në kishën e Sant Joan Sescloses, që ndodhet në Vilanova de la Muga (Peralada), janë gjetur tri pllaka të lashta hebraike, të cilat kanë qenë pjesë e hyrjes së kishës së shekullit XV. Këto pllaka besohet se janë sjellë nga varrezat hebreje të Castelló d'Empúries dhe datojnë prej gjysmës së dytë deri në fund të shekullit të 14-të.

Projekti i gërmimit, nën drejtimin e arkeologëve Anna Maria Puig, Bibiana Agustí, dhe Joan Frigola, të gjithë hulumtues në Institut d'Estudis Empordanesos (IEE), ka nisur para gjashtë vjetësh. “Gërmimet na kanë mundësuar t’i thellojmë njohuritë për prejardhjen e sitit”, ka raportuar Diari de Girona.

Gjatë kampanjës më të re, janë nxjerrë dy copëza gurësh, të cilat janë bërë bashkë me tri të tjerat që janë nxjerrë nga gërmimet e mëparshme. Këto gjetje kanë hedhur dritë në ndryshimet historike të kishës. “Është bërë një zbulim i papritur, duke hedhur dritë në të kaluarën e sitit”, kanë shpjeguar nga IEE-ja.

Arkeologët kanë zbuluar edhe poçe balte nga periudha romake republikane, gjë që vërteton se kjo zonë është frekuentuar gjatë asaj kohe, si dhe dëfton prezencën e romakëve të lashtë në këtë vend.

Me gërmime është zbuluar prania e një mauzoleu që daton para kishës së Sant Joan Sescloses. “Tullat e mëdha të gurit të gjetura në muret e kishës dhe copët e mermerit që korrespondojnë me një apo më shumë sarkofagë duhet të kenë qenë pjesë e mauzoleut”, kanë shpjeguar nga IEE-ja. Ky monument varri është shkatërruar dhe pjesët e sarkofagut prej guri e mermeri kanë shërbyer për ta ndërtuar kishën. Studimet e vazhdueshme përcaktojnë se mermeri është i një kualiteti të lartë, me gjasë i importuar.

Hulumtuesit kanë identifikuar se gjatë shekullit XV, një vërshim ka bërë që të zbulohen themelet e kishës, bashkë me trotuarin e derën, për të dalë kështu te zbulimi i shkallëve që të çonin brenda. Ndërtesa ka ndërruar edhe lartësinë përgjatë shekujve.

Para se të fillonin gërmimet, besohej se kisha ka pasur një qeli të vogël murgjish që i është dedikuar Shën Gjonit, që supozohej se ka ekzistuar në shekullin e 8-të para Krishtit. Dokumentacioni i ruajtur krijon një lidhje mes kësaj kishe dhe manastirit të Sant Pere de Rodes prej shekullit të 10-të. Puna që është bërë aty ka lënë të identifikohet reforma romaneske, që ka lidhje me flijimin e vitit 1064. Gjatë kësaj reforme është zgjeruar ndërtesa dhe porta hyrëse e kishës është zhvendosur në pjesën perëndimore të ndërtesës.

Ndryshimet e fundit në kishë kanë ndodhur në shekullin XIV. Atëbotë është aneksuar një dhomë e kishës dhe kori është ngritur, duke ia dhënë kishës pamjen që e ka sot. “Ndryshimet e shekullit të 18-të kanë qenë të dukshme”, tregon Diari de Girona.

Hulumtimi përkrahet nga Departamenti i Kulturës, komunat Castelló d'Empúries dhe Peralada, Instituti Ramon Muntaner de Móra la Nova (IRMU), Muzeu Historik i Katalunisë, dhe Dioqeza e Gironës. Nga Instituti d'Estudis Empordanesos kanë treguar se po bëhen përpjekje për ta rikthyer kishën bashkë me gjërat që e rrethojnë. Diputació de Girona veçse ka filluar punën, në marrëveshje me Këshillin e Qytetit Peralada.

Këto gërmime janë pjesë e një projekti hulumtimesh që përqendrohet në popullsinë që ka jetuar afër Liqenit Castelló gjatë mesjetës së hershme. Zbulimet në Sant Joan Sescloses sjellin njohuri të vlefshme për shtrirjen kohore të historisë së këtij rajoni, prej epokës romake deri në atë mesjetare.