Hamasi e ka konfirmuar se bisedimet e armëpushimit janë duke vazhduar, pavarësisht se delegacioni i tyre është larguar nga vendi ku po mbahen ato, Kajro, dhe deklaratës së një zyrtari të tij se Izraeli “po i dështon” përpjekjet e ndërmjetësuesve për marrëveshje.
Përmes një deklaratë, Hamasi e ka konfirmuar se negociatat po vazhdojnë.
“Delegacioni i Hamasit është larguar nga Kajro këtë mëngjes për konsultim me lidershipin e lëvizjes, derisa negociatat dhe përpjekjet po vazhdojnë për ta ndaluar agresionin, për kthimin e të zhvendosur dhe për sjelljen e ndihmave për njerëzit tanë”, thuhet në deklaratën e Hamasit, raportoi Reuters.
Të enjten më herët, zyrtari i Hamasit, Sami Abu Zuhri, i ka thënë Reutersit se Izraeli “po i dështon” përpjekjet për të arritur armëpushim, nga Katari dhe Egjipti, gjatë këtyre katër ditëve që po mbahen bisedimet në Kajro.
Hamasi akuzon Izraelin se “po dështon” përpjekjet e ndërmjetësuesve për marrëveshje
Një zyrtar i Hamasit e ka akuzuar Izraelin se “po dështon” të gjitha përpjekjet e ndërmjetësuesve për të arritur një marrëveshje për armëpushim në Gazë para Ramazanit.
Duke folur për Reuters, zyrtari Sami Abu Zuhri, ka thënë se Izraeli këmbëngul në refuzimin e elementeve të marrëveshjes që do të çonin në një pauzë të luftimeve, do të siguronin hyrjen e ndihmave dhe do të lehtësonin kthimin e njerëzve të zhvendosur brenda në shtëpitë e tyre.
Delegacioni negociues i Hamasit është larguar të enjten nga Kajro, ndonëse një burim ka thënë për kanalin egjiptian të lajmeve Al-Qahera se bisedimet do të vazhdonin ndërmjet të gjitha palëve.
Besohet se rreth 134 njerëz vazhdojnë të mbahen brenda Gazës nga Hamasi, ndonëse statusi i tyre nuk dihet. Anëtarët e familjeve të disa prej tyre të cilët janë marrë pengje më 7 tetor, kanë mbajtur konferenca për media duke kërkuar kthimin e tyre në Londër.