Shefi i Kombeve te Bashkuara ka paralajmëruar për mundësinë e daljes nga kontrolli të situatës në Siri, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Rusinë që të “bëhet gati” për sulme me raketa në Siri.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonoi Guterres ka thënë se më 11 prill, kishte takuar ambasadorët e vendeve që kanë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit, (Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia dhe Kina), për të “përsëritur shqetësimin rreth rreziqeve” nga situata në Siri.
Guterres ka thënë se është “e nevojshme që situata të mos dalë nga kontrolli”.
Ndërkaq, ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter gjatë një interviste për Associated Press i ka bërë thirrje Trumpit që “ta mbajë shtetin në paqe dhe të mos ekzagjerojë apo përkeqësojë sfidat që mund të dalin me Korenë e Veriut, në Rusi ose në Siri”.
Carter ka thënë se sulmet konvensionale me raketa, të tilla siç po i shqyrton presidenti Trump, në përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në Duma të Sirisë, janë një “gjë e rrezikshme” dhe mund të bëjnë që situata të dalë jashtë kontrollit, kur dy shtete me fuqi bërthamore janë të përfshira.
Edhe
Haley: SHBA do të vazhdojë presionin nëse Siria teston gatishmërinë tonë
“Shpresoj që ai ta kuptojë këtë gjë mirë, ashtu siç unë dhe presidentët e tjerë e kemi kuptuar, se çdo shkëmbim bërthamor mund të përfshijë gjithë njerëzimin në katastrofë”, ka thënë ai për AP.
Disa zyrtarë të lartë rusë, përfshirë edhe ambsadorin rus në OKB, kanë bërë thirrje për kujdes dhe kanë paralajmëruar për pasoja të “mëdha”, ndërsa zyrtarë të tjerë nga të dyja palët kanë thënë se duhet të gjendet një zgjidhje që do të parandalonte që situata të dalë jashtë kontrollit.
Më 11 prill, Trump ka lënë të kuptohet se mund të sulmojë me raketa Sirinë, në kundërpërgjigje ndaj sulmit të dyshuar kimik në Duma të Sirisë, ku janë vrarë të paktën 43 civilë.
Rusia dhe Siria kanë mohuar se kanë përdorur armë kimike dhe kanë paralajmëruar se çdo sulm me raketa ndaj forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, do ta zmbrapsin.
Edhe
Nëse sulmohet Siria, Rusia paralajmëron luftë me Amerikën
“Rusia është zotuar se do të godasë çdo raketë të lëshuar në Siri”, ka shkruar Trump në Twitter.
“Rusi bëhu gati, sepse ato po vijnë, të bukura, të reja dhe të ‘mençura’”, ka shkruar Trump në postimin e tij.