Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Grusht shteti që mund ta kthejë ISIS-in në Niger

Nigeri shihej si një prej partnerëve të fundit demokratikë në Sahel, me të cilin shtetet perëndimore mund të punonin për t’i zmbrapsur xhihadistët. SHBA-ja, Franca dhe shtetet e tjera evropiane kanë shpenzuar miliona dollarë në trajnimet ushtarake dhe ndaljen e xhihadistëve. Më shumë se 1 mijë xhihadistë janë kthyer qëkur ka nisur programi

Shumë muaj u deshën që komandanti xhihadist të pendohej, duke shkëmbyer armët dhe pasurinë e fituar jashtëligjshëm për amnisti dhe mundësi që të jetonte me familjen e tij.

Para se ta braktiste grupin e Shtetit Islamik, Mouhamadou Ibrahim kishte marrë porosi nga qeveria e Nigerit se bashkëshortja dhe fëmijët e tij duhej të kujdeseshin nga ai dhe se do të ishte i mirëpritur në komunitet. Ndaj tij nuk do të ngriheshin akuza për aq kohë sa ofronte informacione për militanët dhe që t’u bënte thirrje xhihadistëve të tjerë të vinin e të dorëzoheshin.

Mirëpo këto premtime janë bërë para se ushtarët të rrëzonin nga pushteti presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, duke e vënë në rrezik programin e shtetit për t’i riintegruar xhihadistët në shoqëri. Për Ibrahimin, 40-vjeçar, grusht shteti ka hedhur në lloç punën disamujore dhe lidhjet që kishte krijuar me forcat e sigurisë në Niger. Tani është duke menduar nëse duhet të kthehet për të luftuar me ekstremistët.

Qëkur presidenti Mohamed Bazoum u hoq nga pushteti nga anëtarët e rojës së tij presidenciale në muajin korrik, e ardhmja e programit ka qenë e paqartë. Regjimi ushtarak nuk ka dhënë shenja se do të vazhdojë me këtë program, duke rrezikuar fatin e qindra ish-xhihadistëve që janë kthyer dhe varen nga përkrahja e qeverisë. Iniciativa ishte miratuar nga Bazoum në vitin 2016 kur ai shërbente si ministër i brendshëm. Programi kishte nisur për të ndalur dhunën që kishte lidhje me grupet e Al-Qaidas dhe ISIS-it. Për vite të tëra këto dy grupe kishin shkatërruar pjesë të Nigerit dhe rajonin e gjerë të Sahelit, pjesë në jug të Shkretëtirës së Saharës.

Më shumë se 1 mijë xhihadistë janë kthyer qëkur ka nisur programi, ka thënë Boubacar Hamidou, zyrtar i qeverisë që mbikëqyr programin. Xhihadistët verifikohen dhe u jepen vlerësime psikologjike. Nëse pranohen në program, marrin pagën mujore, u paguhet qiraja e shtëpisë, mund të integrohen në ushtri; të mësojnë ndonjë zanat apo të punojnë në sektorin publik, thotë Hamidou.

Edhe SHBA-ja do t’i largojë trupat nga Nigeri Botë SHBA-ja do t’i largojë trupat nga Nigeri

Programet për të riingegruar xhihadistët janë kundërthënëse për shkak të sfidave për implementimin e tyre dhe rrezikut se xhihadistët nuk do të jenë besnikë pas kthimit të tyre. Ekspertët e konfliktit thonë se mirëbesimi është bazë e këtij integrimi. Kritikët e programit të Nigerit thonë se duhet përmirësuar kujdesi ndaj xhihadistëve dhe duhet edhe më shumë me komunitetin që t’i pranojë ata.

Përkrahja perëndimore

Nigeri shihej si një prej partnerëve të fundit demokratik në Sahel, me të cilin shtetet perëndimore mund të punonin për të zmbrapsur xhihadistët. SHBA-ja, Franca dhe shtetet tjera evropiane kanë shpenzuar miliona dollarë në trajnimet ushtarake dhe ndaljen e xhihadistëve.

Programi i riintegrimit dhe përpjekjet e Bazoum për dialog me disa grupe xhihadiste, shiheshin si alternativë e mundësive ushtarake dhe pati rezultate pozitive, thonë ekspertët në Niger.

Prej Burkina Fasos, Malit dhe Nigerit, tri shtetet e Sahelit të goditura rëndë nga dhuna e xhihadistëve, Nigeri ishte shteti i vetëm që kishte përmirësuar sigurinë. Rastet e sulmeve dhe rrahjeve të civilëve kishin rënë për 50 për qind, në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, krahasuar me gjashtë muajt e vitit të kaluar. Analistët thonë se programi i riintegrimit ka luajtur rol kyç.

“Bazoum e kuptoi se vetëm zgjidhjet ushtarake nuk po kryenin punë, dhe për këtë arsye Nigeri nisi programin”, thotë Elizabeth Shackelford, analiste e çështjeve të Afrikës. “Mirëpo udhëheqësit e grusht-shtetit e kanë cilësuar programin të dobët dhe pritet t’i kthehen qasjes ushtarake, ani pse është duke dështuar”.

Ajo dhe ekspertët tjerë shqetësohen se junta do të braktisë dialogun që kishte nisur Bazoum dhe do të përkeqësojnë pakënaqësitë që mund të nxisin kryengritjen e xhihadistëve.

Junta nuk është përgjigjur në pyetjet e “Associated Press” nëse do të vazhdojë programi. Mirëpo aktivistja Insa Garba Saidou, e cila ndihmon juntën ushtarake të Nigerit me komunikime, ka thënë pjesë të programit do të mbeten dhe të tjerat përfundojnë – sidomos, opsioni që ish-xhihadistët t’i bashkohen ushtrisë.

“Nuk mund ta lejoni një terrorist që të bashkohet me ushtrinë ashtu thjesht nëse pohon se i ka dorëzuar armët”, thotë Saidou.

Ndikimi në ushtri

Mirëpo ushtria ka qenë tërheqëse e madhe. Shumica e 160 ish-xhihadistëve që janë kthyer si pjesë e programit dy-vjeçar, 80 për qind e tyre janë bashkuar me ushtrinë, ka thënë një zyrtar i përfshirë në projekt.

Edhe Sekretet e grusht shtetit në Niger Botë Sekretet e grusht shtetit në Niger

Nëse junta i jep fund programit, ose disa pjesëve të tij, ish-luftëtarët mund të arrestohen. Kjo do të rrëzonte besimin dhe do të krijonte pakënaqësi te komunitetet që kanë pranuar ish-xhihadistët, thotë Aneliese Bernard, ish zyrtare e Departamentit amerikan të Shtetit, e cila ka ndihmuar në themelimin e programit në Niger.

Bisedimet e lehtësuara të qeverisë së Bazoum me xhihadistët ndihmuan në rënien e rasteve të sulmeve – dhe nëse ndalen këto bisedime, ish-xhihadistët kanë shumë gjasa të kthehen përsëri te ISIS-i, shton Bernard.

“Ushtarët e rehabilituar do të ishin ata që do të ktheheshin në konflikt. Kjo padyshim se do të nxiste të tjerët që t’i bashkohen ose ribashkoheshin grupeve xhihadiste”, thotë ajo.

Tre ish-xhihadistë frikësohen për të ardhmen e tyre. Ata janë kthyer nga luftimet dhe jetojnë në kryeqytetin Niamey së bashku me familjet e tyre. Secili thotë se nuk mund të kthehet në fshat për shkak të frikës nga hakmarrja për gjërat që kanë. Ata gjithashtu janë kërcënuar nga xhihadistët aktivë se i pret vdekja në rast se kthehen.

Ibrahimi dhe dy burra të tjerë janë kthyer si pjesë e programit që ka nisur vitin e kaluar në Tillaberi. Ibrahimi ka thënë se i është bashkuar ISIS-it kur xhihadistët erdhën në fshatin e tij dhe nisën të vrisnin njerëz. Dëshironte që ta mbronte komunitetin, thotë ai, dhe kishte menduar se duke u bashkuar me ta, do të shtynte grupin që të kursente jetën e bashkëvendësve të tij.

Jeta me ISIS-in

Ai ka folur për ngritjen në detyre dhe komandimin e 60 xhihadistëve. Jeta me xhihadistët ishte e mirë, thotë ai. Shpesh fitonte deri në 830 dollarë në javë duke shitur gjësendet e vjedhura. Ani pse nuk e përshkruan veten me ideologji xhihadiste, fillimisht ishte pajtuar me kritikat e qeverisë së Nigerit dhe kishte neglizhuar zhvillimet në zonat rurale, në të cilat ushtarët nuk mbronin civilët kur ata sulmoheshin.

Por krimet e xhihadistëve i kanë rënë kresë. “Masakrimi i njerëzve për ata ishte sikur të pish ujë”, thotë ai.

Ai ka parë ushtarët e togës së tij tek vrisnin njëri-tjetrin duke besuar se ishin tradhtarë. Një ish-xhihadist e bindi se do të ishte më mirë për familjen e tij sikur të largohej nga ISIS-i.

Ibrahim tani është lider i grupit për riintegrimin e ish-xhihadistëve. Thotë se ka bindur më shumë se 200 xhihadistë që të kthehen dhe ka bërë misione me ushtrinë për të ndihmuar në gjetjen e militantëve dhe arrestimin e tyre.

Para grusht-shtetit të 26 korrikut, thotë ai, ka folur përditë me forcat e sigurisë. Që prej asaj dite, nuk ka kontakte dhe askush nuk ka ardhur për të kontrolluar ish-xhihadistët që jetojnë në Niamey. Ai nuk e di nëse do t’i ndalet paga prej 250 dollarëve për xhihadistët ose edhe ato të qirasë.

Edhe Shtetet e Afrikës Perëndimore të pavendosura për ndërhyrje ushtarake Botë Shtetet e Afrikës Perëndimore të pavendosura për ndërhyrje ushtarake

“Keni një punë dhe plan se si ta ushqeni familjen tuaj. Mirëpo ajo ndalet dhe mendoni për shumë gjëra. Nëse nuk keni punë, mund ta nxisni veten që të bëni gjithçka”, thotë Ibrahimi.

Përktheu: Gent Mehmeti