Botë

Shtetet afrikane duan kthimin e demokracisë në Niger

Frontit të luftës për të zhbërë grusht shtetin mund t’i prijë aleatja e kamotshme e Nigerit, Nigeria, e cila mban drejtimin aktual të ECOWAS-it. Nigeria ka ushtrinë më të madhe në Afrikën Perëndimore me 223 mijë anëtarë – 22 herë më shumë se ajo e Nigerit me 10 mijë anëtarë dhe katër herë më shumë se krejt ushtritë bashkë të Burkina Fasos, Malit, Guinesë dhe Nigerit.

Përpjekjet e ndërmjetësimit rajonal për të rikthyer grushtin e shtetit në Niger dhe për të rivendosur demokracinë e tij u shembën sapo filluan.

Tensionet janë ngritur teksa të dielën përfundon afati për ndërhyrjen e mundshme ushtarake të shteteve të tjera afrikane.

Udhëheqësit rajonalë të mbrojtjes të premten kanë finalizuar planin për të përdorur forcën kundër juntës në Niger – plani duhet të miratohet nga liderët politikë – nëse nuk kthehet në postin e presidentit Mohamed Bazoum. Delegacioni i Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore, i prirë nga ish-gjenerali i Nigerisë, Abdulsalami Abubakar, ka dështuar të takohet me liderin e grusht shtetit, gjeneralin Abdourahamne Tchiani, i cili më vonë ka deklaruar se çdo agresion kundër Nigerit do të marrë reagim të menjëhershëm dhe pa paralajmërim.

Ajo që nisi si rrëzim i presidentit nga komandantët e tij më të afërt në Gardën Presidenciale, ka marrë përkrahjen edhe të ushtarëve të tjerë, përfshirë komandën ushtarake të Nigerit.

Kjo është hera e parë në disa vjet që blloku rajonal, i njohur edhe si ECOWAS, ka bërë përpjekje për të zhbërë grusht shtetin në Afrikën Perëndimore, në të cilën ka pasur grusht shtete të suksesshme që prej vitit 2020.

“Ngjarjet e dy ditëve të fundit e bëjnë më të mundur intervenimin ushtarak”, ka thënë Nathaniel Powell, analist i çështjeve të Afrikës. “Nëse ka rezistencë ndaj intervenimit të ECOWAS, kjo gjë mund të jetë katastrofë e madhe”.

ECOWAS mund të intervenojë si familje e përçarë, tri regjime të tjera – Mali, Burkina Faso dhe Guineja – kanë vendosur të përkrahin juntën në Niger.

Shtetet fqinje të Nigerit, Chadi, Algjeria dhe Libia, nuk janë anëtare të ECOWAS dhe kanë bërë përpjekje për ndërmjetësim mes puçistëve dhe ECOWAS-it.

Strategjia ushtarake

Ende nuk është e qartë se si do të jetë strategjia e intervenimit ushtarak në Nigerin që ka vetëm tokë dhe pa det. Mirëpo shteti ka përparësi territoriale. Me Bazoumin, që po mbahet në kryeqytetin Niamey, fokusi do të jetë aty.

Me popullsi prej 25 milionë banorëve, Nigeri është shteti i dytë më i madh në Afrikën Perëndimore sa i përket masës së tokës, ka rreth 1.26 milionë kilometra katrorë - qindra herë më e madhe se territori i Gambisë, në të cilën ECOWAS ka ndërhyrë ushtarakisht në vitin 2017.

Frontit të luftës për të zhbërë grusht shtetin mund t’i prijë aleatja e kamotshme e Nigerit, Nigeria, e cila mban drejtimin aktual të ECOWAS-it.

Nigeria ka ushtrinë më të madhe në Afrikën Perëndimore me 223 mijë anëtarë – 22 herë më shumë se ajo e Nigerit me 10 mijë anëtarë dhe katër herë më shumë se krejt ushtritë bashkë të Burkina Fasos, Malit, Guinesë dhe Nigerit.

Në Niger, shumë besojnë se gjatë intervenimit ushtarak do të përdoren edhe sulmet ajrore. Mirëpo me presidentin Bazoum të arrestuar, ai mund të përdoret si karrem dhe mburojë nga junta.

Një forcë ndërhyrjeje që vjen nga Nigeria do të duhet të kalojë pjesën e tokës kryesisht të papushtuar, që strehon më shumë se 200 mijë refugjatë që kanë ikur nga dhuna në Nigerinë veriore, duke komplikuar më tej çdo ndërhyrje ushtarake.

Aeroporti ndërkombëtar i Nigerit në Niamey është vetëm 12 kilometra nga pallati presidencial ku po mbahet Bazoum, gjë që mund ta bëjë më të vështirë parakalimin. Vendi ka dy aeroporte të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë një në Agadez, ku ushtria amerikane ka bazën e dronëve.

Shqetësimet e botës

Ndërhyrja ushtarake në kohën e ngjalljes së grusht shteteve në Afrikën Perëndimore ka qenë veçanërisht shqetësuese për shtetet perëndimore, të cilat e kanë parë Nigerin si partnere strategjike në luftën kundër terrorizmit në Sahel. Nigeri gjithashtu ka rëndësi për tregun global në fronte të ndryshme, duke përfshirë pjesën prej 5% të furnizimit global të uraniumit.

Nnamdi Obasi, këshilltar i lartë me Grupin Ndërkombëtar të Krizave, paralajmëroi se një ndërhyrje ushtarake “mund të përkeqësohet gjithashtu në konflikt me prokurë midis forcave jashtë Afrikës, midis atyre që mbështesin rivendosjen e demokracisë dhe atyre që mbështesin juntën, e cila ka marrë kundërshtimin e ashpër - qëndrimi perëndimor”.

Në njërën anë janë aleatët strategjikë të Nigerit, Shtetet e Bashkuara dhe Franca. Nga ana tjetër, janë Rusia dhe ushtria e saj mercenare “Wagner”, e cila është përshëndetur si aleate nga regjimet ushtarake të Malit dhe Burkina Fasos.

Pasojat për Nigerin

Ka frikë se çdo betejë në intervenimin ushtarak të ECOWAS-it nuk do të jetë e kufizuar vetëm në kryeqytetin Niamey.

“Frikësohem se junta me lehtësi do të përdorte njerëzit si mburojë dhe ushtritë e ECOWAS-it nuk kanë histori të mirë kur bëhet fjalë për dëmet anësore”, ka thënë James Barnett, hulumtues i specializuar për Afrikën Perëndimore.

Edhe skenari më i mirë nga një ndërhyrje e tillë do t'i linte trupat ECOWAS të stacionuara në vend si forca kundër grushtit të shtetit për atë që mund të ishte një periudhë e gjatë. Kjo nuk duket mirë për demokracinë – si për vendin ashtu edhe për rajonin, ka thënë Powell.

“Kjo do ta bënte Bazoum të duket sikur ai është vetëm president për shkak të ushtrive të huaja dhe kjo do të shkatërrojë legjitimitetin e tij”.

Sfidat për Nigerinë

Nigeria, që drejton ndërhyrjen e ECOWAS-it në Niger, mund të përballet me sfida në frontin e brendshëm, ku ushtria e saj ka pasur probleme me numra për shkak se ka luftuar grupet e armatosura që kanë vrarë mijëra në vitin e kaluar në rajonet veriore dhe qendrore.

“Ushtria nigeriane ka probleme të brendshme në Nigeri”, ka thënë Bello Tangaza, banor i Tangaza në shtetin verior Sokoto. “Ata kanë banditë, kanë Boko Haram - por ata nuk kanë arritur t'i trajtojnë këto probleme dhe duan të hidhen në Niger”.

Një ndërhyrje ushtarake e udhëhequr nga Nigeria mund të zhvendosë vëmendjen nga grupet e armatosura, që ndonjëherë hyjnë në vend përmes kufirit me Nigerin. Katër persona u rrëmbyen nga persona të armatosur të mërkurën në distriktin Tangaza dhe banorët kanë frikë se situata nuk do të përmirësohet shpejt nëse ushtria e kthen vëmendjen te Nigeri.

Përktheu: Gent Mehmeti