Një gjykatë në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën, ka dhënë një dënim të ri me burg për ish-kryeministrin e arratisur të vendit, Nikola Gruevski, këtë herë një dënim gjashtëvjeçar për abuzim me pushtetin për financimin e selisë së partisë së tij në Shkup, raportoi AP-ja.
Ky ishte dënimi i pestë për Gruevskin që kur ai la postin në vitin 2016 pas një dekade në pushtet. Ai ka mohuar çdo akuzë. Gruevski iku në Hungari në vitin 2018 para se të ekzekutohej dënimi i tij i parë dhe atje iu dha azili.
Të mërkurën, Gjykata Penale e vendit urdhëroi gjithashtu konfiskimin e selisë 8-katëshe të partisë VMRO-DPMNE të Gruevskit në qendër të Shkupit, që u ndërtua gjatë kohës së tij në detyrë dhe dhjetëra prona të tjera të partisë.
Gjykata vendosi se Gruevski dhe një tjetër ish-zyrtar i partisë keqpërdorën shërbimet e një kompanie ndërtimi që ishte përfshirë në një skemë të madhe zhvillimore të drejtuar nga qeveria. U zbulua se kompania mbuloi të gjithë koston prej 7 milionë eurosh të selisë së partisë si donacion për VMRO-DPMNE-në, në kundërshtim me ligjet për financimin e partive.
Gruevski u dënua për herë të parë në vitin 2018, për ndikim të paligjshëm ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për blerjen e një makine të blinduar luksoze dhe u dënua me dy vjet burgim.
Në vitin 2020, ai mori edhe 1 vjet e gjysmë burgim për orkestrimin e dhunës ndaj kundërshtarëve të tij politikë më 2013. Në prill 2022, u dënua me 7 vjet për përdorimin e fondeve të partisë për t'u pasuruar. Një dënim i ri 9-vjeçar pasoi më vonë atë muaj pasi një gjykatë vendosi se ai urdhëroi prishjen e një ndërtese shumë milionëshe që i përkiste një rivali politik në Shkup.