Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gruaja më e pushtetshme e BE-së në udhëkryqin e vaksinave

Ursula Von der Leyen është kritikuar fort për shpenzimin e miliona eurove në kontraktues privatë për t’i ndihmuar në reformat e saj. Ani pse personalisht shpëtoi pa u lagur nga ligjvënësit gjermanë, ajo e di se gjërat kanë shkuar keq. Mirëpo për dështimet ka fajësuar varësit e saj

S’do mund se deri para dy javësh askush mund të mos e ketë dëgjuar emrin Ursula von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian, degë kjo ekzekutive e Bashkimit Evropian dhe institucioni më i fuqishëm, nuk është punë që gëzon shumë famë apo ka madhështinë e një lideri kombëtar. Pra, nëse emri juaj shfaqet në media, ka shumë mundësi që puna është shumë keq.

CNN-i shkruan se mosmarrëveshja e BE-së me Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me vaksinat kundër COVID-19 e ka vënë në skenë Von der Leyen dhe stilin e saj menaxhues.

“Pasi Brukseli u shqetësua se programi i vaksinimit po ngecte, falë mungesës së dozave, Komisioni propozoi vendosjen e kontrollit të eksportit te prodhuesit e vaksinave. Kjo do të thotë se BE-ja mund të monitorojë dhe potencialisht të bllokojë largimin e vaksinave nga territori i saj”, ka shkruar CNN në një analizë mbi mosmarrëveshjet e vaksinës.

Si pjesë e këtij propozimi, Komisioni deklaroi se këto kontrolle mund të aplikohen te vaksinat që shkojnë nga Republika e Irlandës (Pjesë e BE-së) te Irlanda Veriore (Pjesë e Mbretërisë së Bashkuar).

Edhe Kolumne 10 muaj më parë Realiteti i “gjendjes së unionit“

Kritikët ia tërhoqën vërejtjen Brukselit se po luante me idenë e vendosjes së kufizimeve në kufirin mes dy Irlandave, nga frika se mund të çonte në kthimin e dhunës sektare, ndërkufitare në ishullin e Irlandës.

Një seri e telefonatave të ngutshme dhe shqetësuese ndodhën mes kryeqyteteve evropiane, të cilat nuk ishin konsultuar për këtë lëvizje – përfshirë edhe Dublinin.

Në analizën e CNN-it thuhet se diplomatët dhe zyrtarët e BE-së në Bruksel u zunë ngushtë nga ajo që dukej si kërcënim i njëanshëm i Komisionit ndaj Mbretërisë së Bashkuar, komb sovran, dhe rrezik i qartë për shoqërinë civile në Irlandën e Veriut. Kjo ishte një përulje e çuditshme për një institucion që synon të promovojë dhe mbrojë paqen e civilizimin.

“Turpërimi u shndërrua në kokëçarje, kur Von der Leyen dhe ekipi i saj tentuan t’ia hedhin fajin zëvendëspresidentit, Valdis Dombrovskis”, shkruan CNN-i në analizë.

Zëra kundër lideres

Image

Mosmarrëveshja përkohësisht është zgjidhur, por ekziston një zemërim drejt Komisionit që kërcënoi me masa aq dramatike. Natyrisht, një pjesë e madhe e zemërimit i është drejtuar vetë shefes së këtij institucioni.

Që prej mosmarrëveshjes për vaksinat, Von der Leyeni nuk ka treguar nivelin më të mirë të kontrollit – sidomos nga dikush që mban një zyrë kaq të fuqishme – dhe shumë kritikë janë kënaqur duke bërë krahasime midis dështimeve të saj në Berlin dhe Bruksel.

“Disa besojnë se arsyeja që shumë njerëz janë kënaqur duke e kritikuar është se janë xhelozë në prejardhjen e saj të privilegjuar”, shkruan CNN-i.

Von der Leyen – ish-ministre e mbrojtjes në Gjermani – nuk është eurokrate tipike. Babai i saj ishte politikan i fuqishëm që shërbeu si kryeministër i shtetit gjerman të Saksonisë së Ulët dhe një prej shërbyesve të parë civilë në Evropë.

“Ajo i përket elitës sonë politike. Jo vetëm që ka prejardhje të ngritur, por është një prej të preferuarve të Angela Merkelit”, ka thënë Erich Vad, ish-këshilltar i politikave ushtarake për Angela Merkelin dhe aleat i afërt i saj. “Në politikën gjermane, shumë frymë ishin xhelozë ndaj saj dhe kjo e bën shumë të vështirë punën në Berlin”, ka sqaruar ai.

Qofshin apo jo xhelozë, ka krahasime mes menaxhimit të skandaleve si ministre e mbrojtjes me këto të pandemisë. Në vitin 2013, kur u emërua në pozitën e ministres, Von der Leyen trashëgoi një forcë të armatosur në nevojë për reforma.

“Donte që forcat gjermane t’i bënte të rëndësishme për shekullin 21 duke e bërë më të lehtë angazhimin për gratë dhe njerëzit me familje”, ka thënë Sophia Besch, hulumtuese në “Centre for European Reform”. “Synonte t’i largonte ushtarët që kishin simpati për politikat e djathta ekstreme dhe të reformonte mënyrën se si ushtria shpenzonte buxhetin. Problemi ishte se u përplas me shumë figura të larta dhe u bë njollë e zezë brenda komandës ushtarake”, ka shtuar Besch.

Von der Leyen është kritikuar fort për shpenzimin e miliona eurove në kontraktues privatë për t’i ndihmuar në reformat e saj. Ani pse personalisht shpëtoi pa u lagur nga ligjvënësit gjermanë, ajo e di se gjërat kanë shkuar keq. Mirëpo për dështimet ka fajësuar varësit e saj.

“Në vitin 2017, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Gjermanisë raportoi për 275 raste të ekstremizmit të djathtë brenda ushtrisë. Rastet ishin me ushtarë të përfshirë në planifikimin e sulmeve dhe posedim të kujtimeve naziste”, shkruan CNN-i.

Kritikat e pavenda

Në atë kohë, von der Leyen iu vërsul komandantëve të rryer të ushtrisë, duke thënë se donte të adresonte këtë çështje të ndjeshme “se ku ka dështuar lidershipi”.

Njohësit afatgjatë të Von der Leyen i dinë mirë lojërat e saj dhe janë kënaqur kur kanë parë se strategjia e vënies së fajit po përsëritej edhe në mosmarrëveshjen e vaksinave.

“Stili i saj i qeverisjes gjithmonë ishte që të krijonte një rreth të ngushtë të besnikëve përreth saj”, thotë një ish-koleg që ende punon në Qeverinë gjermane. “Ata e mbrojtën kur shpërthyen skandalet, duke shtrembëruar fajin dhe duke e vendosur atë në ballë të frontit për të rregulluar krejt ato që shkuan mbrapshtë”, shton ish-kolegu i saj.

Deputeti gjerman, Fritz Felgentreu, nga partia socialdemokrate, i angazhuar në komitetin parlamentar për mbrojtjen, ka një qëndrim cinik për këtë qasje në marrëdhëniet publike.

“Nuk jam i sigurt nëse ishte ministre e mirë e Mbrojtjes ose nëse i ka interesuar ndonjëherë ushtria. Mendoj se e donte këtë punë që t’i krijohej rasti për të qenë pasardhëse e Merkelit”, thotë Felgentreu.

“Mbrojtja është një prej punëve më të rënda brenda qeverisë dhe u dha fund karrierave të shumë njerëzve para saj. Supozoj se nga perspektiva e saj, nëse mund t’ia dilte në këtë punë, mund të bënte çfarëdo tjetër”, shton deputeti Felgentreu.

Edhe BE-ja do të kufizojë qasjen e fëmijëve në rrjetet sociale Botë 1 j. më parë BE-ja do të kufizojë qasjen e fëmijëve në rrjetet sociale

Nëse von der Leyen ishte ministre e suksesshme e Mbrojtjes ose jo, varet se kush pyetet për këtë.

“Disa janë të mendimit se guximi e dërgoi në krye të ushtrisë dhe arriti disa reforma; të tjerët besojnë se ambicia dhe obsesioni me veten ia pamundësuan të kryente punën”, shkruan CNN-i.

Admiruesit e Von der Leyen thonë se armiqësia ndaj një lidereje aq të arritur, është krijuar për shkak të faktit se është grua.

“Kur shoh kritikat ndaj saj dhe mendoj se nëse do të ishte burrë, ata nuk do ta quanin të çmendur, por lider i fuqishëm”, thotë Philippe Lambert, politikan belg që drejton Grupin parlamentar të të gjelbërve në Parlamentin Evropian.

Figura të larta të CDU-së pajtohen me këtë. Në këtë analizë të CNN-it shkruan se shumë besojnë që Von der Leyen është viktimë e kulturës politike të qendrës së djathtë që ende dominohet nga burrat dhe nga kultura ushtarake e Gjermanisë, që ende është mezogjenizëm

“Mbetëm të shtangur kur Merkeli e nominoi atë komisionare të Gjermanisë. Ishim të lumtur për të, ama edhe të shtangur. Kishte kuptim pasi kishte bërë punë të vështirë, por për hatër të Zotit, asaj i kishte rënë kredibiliteti”, thotë një zyrtar i lartë i mbrojtjes.

Von der Leyen ishte zgjedhje e befasishme dhe për pozitën e tanishme – së paku për shkak se nuk ishte dominuar fillimisht.

Propozim i befasishëm

Në verën e vitit 2019, procesi i komplikuar i BE-së për zgjedhjen e presidentit të Komisionit kishte arritur në afatin e fundit. 27 vendet anëtare e kishin të pamundur të pajtoheshin për ndonjë emër të vendosur në tavolinë.

Pastaj presidentit francez Emmanuel Macron i erdhi ndërmend një ide.

Ndoshta nuk është zyrtare e brendshme e Brukselit, por Von der Leyen përfaqësonte vizionin e Macronit për kapitullin e ardhshëm të Evropës.

Kishte ambicien e Macronit për një Evropë që do të kishte peshë në skenën botërore. Përkrahu idenë e politikave të përbashkëta në mbrojtje dhe integrim të zgjeruar.

Kjo ishte e përkryer edhe për trashëgiminë e Merkelit: Jo vetëm që sigurojë presidenten e parë gjermane të Komisionit, por edhe gruan e parë në këtë post.

“Krejt aksidentalisht, von der Leyen u bë aseti më i vlefshëm në politikën evropiane: kompromis franko-gjerman. Është një rregull i pashkruar në Bruksel që nëse dëshiron të kryesh punë, së pari duhet të pajtohen Parisi dhe Berlini”, shkruan CNN-i.

Veprimet e Von der Leyen qëkur është bërë peshku më i madh në Bruksel nuk e kanë befasuar askënd.

“Kur tentoi të fitonte përkrahjen në Parlament, ajo erdhi me një ekip të njerëzve nga Berlini, me të cilët kishte punuar gjatë kohës në Qeverinë gjermane”, thotë Sophie in’t Velt, holandeze dhe anëtare e Parlamentit Evropian.

“Ajo prej lart e poshtë ka një stil të mikro-menaxhimit”, shtonë in ‘t Veld. “Komisionarët nuk kanë shumë liri. Është punë risku, siç e pamë edhe në përplasjen për vaksinat”.

BE-ja, siç është krijuar, ka të bëjë me bashkëpunimin ekonomik, jo krijimin e një supershteti.

Në vitin 2021, mund të mos jetë shtet sovran, por dekadat e integrimit të afërt do të thonë se Brukseli ka grumbulluar ndikim global të rezervuar për shtetet e mëdha.

“Për herë të parë në historinë e saj, BE-ja ka në krye dikë që dëshiron të përdorë ndikimin për të krijuar diçka që tingëllon më shumë si superfuqi globale”, shkruan CNN-i në analizën për udhëheqësen e BE-së.

Edhe Bëhet pagesa e parë për Ukrainën në kuadër të kredisë prej 90 miliardë eurosh të BE-së Botë 1 muaj më parë Bëhet pagesa e parë për Ukrainën në kuadër të kredisë prej 90 miliardë eurosh të BE-së

Mirëpo Von der Leyen ka një mal të lartë përpara, para se të lërë prapa pandeminë dhe të vazhdojë me agjendën e saj për Evropën.

“Rreziku që ajo dhe aleatët po përballen është se kritikat për mënyrën e menaxhimit të një prej krizave më të mëdha të BE-së kanë vrarë një vullnet të madh në Bruksel – duke e bërë punën e saj më të vështirë pas përfundimit të pandemisë”, shkruan CNN.