Për të pestën ditë, autoritetet greke po luftojnë për të shuar flakët në ishullin Rodos, nga ky janë evakuuar 30 mijë banorë e turistë. Ky vlerësohet të jetë korriku më i nxehtë në 50 vjetët e fundit në këtë vend. Me temperatura të larta po përballen edhe në Itali e Spanjë
Greqia po përballet me fundjavën më të nxehtë të një muaji korrik në 50 vjetët e fundit. Po ashtu, vlerësohet se ky është edhe korriku më i nxehtë në gjysmëshekullin e fundit në këtë vend.
Temperaturat në Greqi kanë shënuar mbi 40 gradë Celsius, teksa edhe vendet e tjera, si Italia e Spanja, po e përjetojnë valë të të nxehtit rekord.
Ndërkohë, zjarri i madh ka vazhduar në ishullin grek të Rodosit për të pestën ditë, me ç’rast autoritetet janë detyruar t’i evakuojnë rreth 30 mijë njerëz.
Forcat e armatosura dhe punonjësit e autoriteteve lokale kanë përdorur dhjetëra autobusë për të ndihmuar evakuimin e banorëve dhe turistëve, ndërkaq, në vendet ku zjarri ka ndërprerë qasjen rrugore, njerëzit u detyruan të shkonin në këmbë drejt vendeve më të sigurta.
Instituti kombëtar i motit në Greqi ka paralajmëruar se shuarja e zjarreve është disa ditë larg, duke e konsideruar këtë si periudhën më të gjatë me këso temperatura që vendi ka parë ndonjëherë.
EdheE në Ballkan këtë javë, një stuhi e dytë gjatë së premtes, ka lënë të paktën tre persona të vdekur në Serbi. Autoritetet raportuan probleme me shpërndarjen e energjisë dhe dëme të mëdha, përfshirë rrëzimin e pemëve që dëmtuan shumë makina. Të mërkurën e kësaj jave, stuhia e parë që goditi Ballkanin ka lënë të vdekur gjashtë persona në rajon, katër në Kroaci, një në Slloveni dhe një tjetër në Bosnjë.
Meteorologët thanë se stuhitë ishin të përmasave tepër të fuqishme, sepse pasuan një varg ditësh jashtëzakonisht të nxehta.