Gjykimi ka rihapur njërën prej episodeve më të errëta të historisë moderne të Francës, në kohën kur një tjetër dallgë e sulmeve islamike ka goditur vendin gjatë vjeshtës, përfshirë ekzekutimin me prerje koke të një arsimtari, për ta nxitur Qeverinë që t’i ashpërsojë masat për frenimin e asaj që e quan separatizëm islamik
Paris, 16 dhjetor (Reuters) – Një gjykatë franceze ka dënuar të mërkurën 14 persona lidhur me krimet që nisin prej financimit të terrorizmit e deri te pjesëmarrja në një grup kriminal, në kuadër të procesit të ndërlidhur me sulmet islamike të vitit 2015 ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe një dyqani hebraik në Paris.
Gjykimi ka rihapur njërën prej episodeve më të errëta të historisë moderne të Francës, në kohën kur një tjetër dallgë e sulmeve islamike ka goditur vendin gjatë vjeshtës, përfshirë ekzekutimin me prerje koke të një arsimtari, për ta nxitur Qeverinë që t’i ashpërsojë masat për frenimin e asaj që e quan separatizëm islamik.
Vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi ishin futur në zyrat e “Charlie Hebdos” në Paris, duke hapur zjarr dhe duke vrarë 12 persona më 7 të janar 2015, pothuajse një dekadë pasi që e përjavshmja i kishte botuar karikaturat tallëse të profetit Muhamed.
Sulmuesi i tretë, Amedy Coulibaly, kishte vrarë një police dhe më pas edhe katër pengje në dyqanin hebraik të produkteve të mishit në periferi të Parisit. Njësoj sikurse Kouchit, edhe Coulibaly ishte qëlluar për vdekje nga forcat policore.
Edhe
Dënohen bashkëpunëtorët e sulmuesve të Charlie Hebdo
Në mesin e 14 bashkëpunëtorëve të dënuar të mërkurën ishte Hayat Boumeddiene, ish-partnerja e Coulibalyt dhe njëra prej tri të pandehurave të dënuara në mungesë. Gruaja për të cilën besohet se është ende gjallë dhe në ikje nga fletarrestimi ndërkombëtar i lëshuar kundër saj, është cilësuar nga prokurorët si “princesha e Shtetit Islamik”.
Gjykatësit e dënuan 32-vjeçaren Boumeddienen, të akuzuar për financimin e terrorizmit dhe pjesëmarrjen në një rrjet kriminal terrorist, me 30 vjet burgim.
Sulmet, përgjegjësinë për të cilat e morën “Al-Qaeda” dhe Shteti Islamik, i goditën rëndë përpjekjet e Francës për t’i luftuar kërcënimet nga militantët e brendshëm dhe xhihadistët e jashtëm.
“Fakti se viktimat janë zgjedhur me përpikëri ngase ishin gazetarë, apo një pjesëtare e forcave të sigurisë ose të besimit hebre, e demonstrojnë qartë dëshirën e thellë të sulmuesve për të mbjellë terror në vendet perëndimore”, ka thënë gjykatësi kryesor i rastit.
Akuzat e ndërlidhura me terrorizmin janë rrëzuar kundër gjashtë të pandehurve, të cilët janë shpallur fajtor për krime më të lehta.
Gjatë këtij proces, dëshmitë i kanë dhënë edhe gazetarët e “Charlie Hebdo”.
Pas verdiktit të së mërkurës, avokati i revistës, Richard Malka, i përshkroi të pandehurit si pjesë të një rrjeti të mjegullt të përkrahjes që u mundësoi sulmuesve nxitjen e gjakderdhjes.
“Pa këto rrjete të mjegullta, sulmet nuk do të mund të ndodhnin”, ka thënë ai para gazetarëve, në reagimin e parë të revistës dhe përfaqësuesve të saj ligjorë ndaj verdiktit.
Edhe
Franca shënon 6-vjetorin e sulmit në “Charlie Hebdo”
Një natë para nisjes së gjykimit, “Charlie Hebdo”, revistë kjo që prej kohësh ka sfiduar kufijtë të asaj që çfarë shoqëria mund të pranojë në emër të lirisë së shprehjes, ka ribotuar karikaturat që kishin nxitur zemërim në botën myslimane kur ishin botuar për të parën herë nga një revistë daneze më 2005.
Vetëm rreth një muaj më parë, arsimtari i lëndës së historisë Samuel Paty u ekzekutua me prerje koke nga një i ri, i cili në mesazhin e xhiruar kishte bërë të ditur se vrasja është hakmarrje ndaj vendimit të tij për t’ua treguar nxënësve karikaturat e profetit të myslimanëve gjatë orës së lirive qytetare.