Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania do të ndajë 200 milionë euro ndihmë për Afganistanin

Gjermania do të sigurojë 200 milionë euro shtesë si ndihmë humanitare për Afganistanin, ka njoftuar të enjten ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Sipas saj, kriza humanitare që po e përjeton popullsia afgane është nga më të rëndat në 30 vjetët e fundit, ku uria po kërcënon rreth 23 milionë njerëz.

“Gjermania do të sigurojë 200 milionë euro shtesë në fonde humanitare për njerëzit në Afganistan. Ne po mbështesim edhe një thirrje të përbashkët me partnerët tanë humanitar që talebanët t’u japin punonjësve të ndihmës humanitare qasje të papenguar dhe të garantojnë sigurinë e tyre”, ka thënë ajo, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Zyra Federale e Jashtme

Baerbock ka thënë se është e papranueshme që Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP), nuk ishte në gjendje të furnizonte provincat e Kabulit, Kandaharit dhe Ghorit me ushqim për të shpëtuar jetë.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje talebanëve që të respektojnë të drejtat e njeriut, të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, të luftojnë terrorizmin si dhe të ofrojnë qasje të barabartë në arsim në gjithë vendin.

Përkushtimi i Gjermanisë, përtej ndihmës humanitare, vazhdon të varet nga veprimet e qeverisë talebane, shtoi ministrja e jashtme gjermane.