Botë

Gjeneva e bën falas transportin publik

Gjeneve

Transporti publik do të jetë përkohësisht falas në Gjenevë, për herë të parë në Zvicër, si pjesë e një sërë masash që synojnë të trajtojnë rritjen e ndotjes në qytet.

Gjeneva, në pjesën perëndimore frëngjishtfolëse të Zvicrës, po përjeton kulmin e ndotjes nga ozoni- një gaz i dëmshëm që mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen dhe mund të shkaktojë dhimbje koke dhe sulme astme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, raporton Reuters.

Sistemi anti-smog i qytetit tregoi se përqendrimet e ozonit kishin tejkaluar një prag të sigurisë shëndetësore mjedisore prej 180 mikrogramësh për metër kub gjatë 24 orëve, sipas një deklarate nga Kantoni i Gjenevës.

Të martën, temperaturat arritën 37 gradë celsius teksa qeveria lëshoi paralajmërime për nxehtësinë për pjesët perëndimore dhe jugore të Zvicrës.

Në përgjigje, transporti publik u bë falas për herë të parë të mërkurën në të gjithë kantonin, për të inkurajuar banorët dhe vizitorët të kalojnë nga veturat e tyre në autobusë, tramvaje, trena dhe anije, me qëllim uljen e emetimeve të trafikut.

"Masat e marra sipas këtij protokolli emergjence synojnë të ulin emetimet e oksidit të azotit, veçanërisht duke promovuar transportin publik dhe duke kufizuar qarkullimin e automjeteve më ndotëse", ka thënë zyra e Mjedisit.

Udhëtarët nuk do të kenë nevojë për biletë dhe kontrollet e biletave do të pezullohen derisa të përmirësohet ndotja, kanë shtuar autoritetet në një deklaratë.

Midis orës 6:00 të mëngjesit dhe orës 10:00 të mbrëmjes, vetëm veturat me emetime më të ulëta lejohen të qarkullojnë brenda qendrës së qytetit.