Situata në kufirin greko-turk është tensionuar të shtunën. Greqia kërkon të ndalë patjetër migrantët që vijnë nga Turqia.
"Qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për të mbrojtur kufijtë”, tha zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas të shtunën para gazetarëve.
Në 24 orët e fundit, autoritetet greke kanë numëruar 4000 persona që kanë bërë përpjekje për të kaluar kufirin e hyrë në Greqi. Policët grekë dhe mijëra migrantë janë përplasur ashpër në kufirin greko-turk në Pazarkule. Pamjet e televizionit grek, Skai tregonin se si policia greke përdorte gazin lotsjellës kundër migrantëve, që hidhnin gurë nga ana turke e kufirit.
Agjencia Reuters ka bërë të ditur, se sipas informacioneve nga burime të saj, Turqia ka vendosur që të mos i ndalë më refugjatët që kanë marrë rrugën drejt Europës përmes rrugës tokësore ose detare.
"Ne i kemi hapur portat”, citohet nga mediat Erdogan që ka akuzuar BE-së nuk i është përmbajtur marrëveshjes së refugjatëve. Sipas Erdoganit 18.000 refugjatë janë ndërkohë që nga e premtja në kufijtë e Turqisë me BE.
Gjendja është e paqartë. Sepse të premten në mbrëmje, i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Jospeh Borrell ishte shprehur, se pas një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu, ai ka marrë "garancinë” nga Turqia, se Ankaraja do të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes së refugjatëve, të nënshkruar në mars 2016.
Gjendja u shkallëzua papritur këto ditë, pasi Turqia tha se do të hakmerret pas vrasjes së 33 ushtarëve turq në sulmet ajrore siriane në provincën e Idlibit, dhe u shpreh, se nuk do t'i mbajë më refugjatët që duan të vijnë në Europë. Të shtunën nga Turqia bëhet e ditur, se janë shkatërruar magazina me armë kimike në Siri, si edhe një „numër i madh" i objektivave të qeverisë së Bashar Al-Asadit./DW/