Forcat izraelite kanë vazhduar operacionin e tyre ushtarak drejt qytetit të dytë të madh të Gazës, teksa palestinezëve më nuk u ka mbetur vend i sigurt në territorin e tyre.
Sulmi ndaj pjesës jugore të Gazës mund të nxisë zhvendosjen masive brenda territorit palestinez, në të cilin, sipas OKB-së, 1.8 milionë banorë veç janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, pjesa më e madhe e veriut të qytetit të Gazës është bërë rrafsh me tokë. Palestinezët frikësohen se edhe pjesën e mbetur të territorit e pret fati i njëjtë.
Izraeli ka deklaruar se më nuk do të pranojë prezencën e Hamasit pas sulmit të 7 tetorit që nxiti luftën.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netranyahu, ka deklaruar se do të ketë kontroll të plotë të Gazës, diçka që e kanë kundërshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komuniteti ndërkombëtar.
Ushtria izraelite të martën ka deklaruar se ndodhet në zemër të pjesës jugore të Gazës.
Edhe
Tanket izraelite hyjnë më thellë në Gazë, shumë të plagosur mbesin të bllokuar
Në tri ditët e fundit shpërndarja e ndihmave është bërë e mundur vetëm në Rafah, pikën kufitare me Egjiptin.
Organizata “Mjekët pa kufij” ka raportuar se që prej një dhjetori çdo ditë në spitalin Martirët e Al-Aqsas janë sjellë nga 200 të plagosur nga bombardimet.
Në luftë kanë mbetur më shumë se 16 mijë palestinezë të vrarë, 70 për qind e tyre gra dhe fëmijë. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë 42 mijë të plagosur, ndërkaq qindra të tjerë dyshohet se janë varrosur nën rrënoja.