Në teori, Trumpi mund ta përdorë Marinën amerikane për të hapur me forcë Ngushticën e Hormuzit. Por kjo do t’i ekspozonte anijet amerikane ndaj raketave dhe dronëve iranianë. Ndërkohë, operacionet tokësore kundër terminalit të eksportit të naftës në ishullin Kharg ose për të zmbrapsur forcat iraniane nga ngushtica, mund të rezultojnë shumë të përgjakshme.
Nëse Donald Trumpi nuk gjen një rrugëdalje nga ngërçi ku ndodhet me Iranin, historia mund ta konsiderojë vendimin e tij për të hyrë në luftë si gabimin përcaktues të presidencës së tij.
Megjithatë, deri tani ai ka shmangur një gabim tjetër potencialisht katastrofik: përshkallëzimin masiv të konfliktit përtej aftësisë së tij për ta kontrolluar.
Historia tregon se presidentët që i kanë përshkallëzuar luftërat në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje, ose për të mbrojtur prestigjin e tyre apo reputacionin e Shteteve të Bashkuara, kanë hyrë në një rrugë pa kthim.
Në Vietnam, Irak dhe Afganistan, ata e bënë këtë me hezitim, në luftëra që tashmë nuk mund të fitoheshin.
Jo për herë të parë, Trumpi ndodhet në një udhëkryq me tri drejtime, në një luftë që tashmë po udhëhiqet nga refuzimi i Iranit për t’u dorëzuar ose për të negociuar seriozisht.
Edhe
Ndryshimi i strategjisë së Trumpit për Hormuzin ngre dyshime për përgatitjen e SHBA-së për luftë
Nëse diplomacia vazhdon të dështojë, a është ai i gatshëm të zgjasë pafundësisht fushatën e sulmeve ajrore, armëpushimeve të brishta dhe bllokadave detare amerikane dhe iraniane?
Apo do ta intensifikojë ofensivën amerikane duke hequr kufizimet që i ka vendosur vetes dhe duke shkuar përtej objektivave kryesisht ushtarake për të goditur infrastrukturën dhe objektivat civile iraniane, madje duke kaluar “Rubikonin” (kapërcimi i një vije që sjell pasoja të mëdha dhe të pakthyeshme) dhe duke përdorur trupa tokësore në operacione të kufizuara?
Opsioni i tretë do të ishte shumë i dhimbshëm: të pranojë se për të dhe për Shtetet e Bashkuara do të ishte më mirë të kufizonin humbjet dhe të tërhiqeshin nga konflikti, duke lënë të pazgjidhura objektivat kryesore.
Secila prej këtyre alternativave sjell përgjigje të pakëndshme politike dhe strategjike, gjë që shpjegon pse Trumpi vazhdon të mbetet i bllokuar në një luftë që nuk mund ta përballojë ta fitojë, por as ta humbasë. Situata është bërë aq e vështirë, sa Pentagoni, sipas një raporti ekskluziv të CNN-it, i ka kërkuar një grupi analistësh ushtarak ide të reja se si mund të ndëshkohet Irani.
Paralajmërimi për “prerje koke” të Iranit
Pakënaqësia e Trumpit u reflektua qartë në rrjetin e tij social Truth Social të hënën, pasi Irani hodhi poshtë përpjekjen e tij më të fundit. Ai kishte pezulluar sulmet shkatërruese që kishte paralajmëruar gjatë fundjavës, duke përsëritur edhe një herë se një marrëveshje mund të ishte pranë.
“Udhëheqja iraniane është jashtëzakonisht mashtruese!”, shkroi Trumpi, duke përdorur ironikisht të njëjtën gjuhë që Republika Islamike përdor shpesh për të kritikuar diplomacinë e tij të bazuar në presion.
Por pasdite ai iu rikthye kërcënimeve.
“Kjo është mundësia e fundit që ata të nënshkruajnë një marrëveshje të mirë”, tha ai në Zyrën Ovale.
Megjithatë, paralajmërimi i tij se Irani mund të përballej me “prerje koke” ngre një pyetje tjetër: çfarë do të bëjë Trumpi nëse Teherani e injoron edhe këtë herë?
Çdo përshkallëzim i madh nga ana e Trumpit do të ishte një veprim i rrezikshëm, pasi nuk ka asnjë shenjë se bombardimet mund ta detyrojnë Iranin të rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Irani ka të ngjarë t’u përgjigjet sulmeve ndaj urave, centraleve elektrike dhe infrastrukturës tjetër, duke goditur objekte të ngjashme në territorin e aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, duke e rritur edhe më shumë koston ekonomike të luftës. Pikërisht këtë skenar, sipas të gjitha gjasave, liderët rajonalë ia ngritën Trumpit gjatë fundjavës.
“Ishim gati të vepronim. Pastaj ata telefonuan. Përveç tyre telefonoi edhe Arabia Saudite. Telefonuan Emiratet e Bashkuara Arabe. Telefonoi edhe Katari”, njoftoi Trumpi.
Në teori, Trumpi mund të përdorë Marinën amerikane për të hapur me forcë Ngushticën e Hormuzit. Por kjo do t’i ekspozonte anijet amerikane ndaj raketave dhe dronëve iranianë. Ndërkohë, operacionet tokësore kundër terminalit të eksportit të naftës në ishullin Kharg ose për të zmbrapsur forcat iraniane nga ngushtica, mund të rezultojnë shumë të përgjakshme.
Përvoja e 60 vjetëve të fundit tregon se rreziku rritet në mënyrë eksponenciale kur një luftë ajrore shndërrohet në luftë tokësore. Konflikti fillon të shihet ndryshe edhe nga amerikanët në vendin e tyre. Kostoja politike rritet me shtimin e viktimave, diçka që Trumpi nuk mund ta përballojë vetëm pak javë para zgjedhjeve të mesmandatit.
Për më tepër, kur ushtarët humbin jetën në përpjekje për të gjetur një strategji daljeje, sakrificat e tyre mund ta zgjasin paradoksalisht luftën, sepse askush nuk dëshiron që ato të duken të kota.
Shumë presidentë amerikanë janë përballur me dilema të ngjashme. Edhe pse luftërat në Vietnam, Irak, Afganistan dhe tani konflikti me Iranin nisën në rrethana të ndryshme, të gjitha u reduktuan në të njëjtën formulë: të pranosh një “status quo” të keqe, ta përshkallëzosh konfliktin ose të largohesh.
Dhe asnjë president nuk dëshiron të mbahet mend si ai që humbi një luftë.
Si ranë Johnsoni dhe Bushi në të njëjtin kurth?
Në vitin 1965, presidenti Lyndon B. Johnson po përballej me dilemën nëse duhej ta zgjeronte Luftën e Vietnamit, të trashëguar nga presidenti i vrarë, John F. Kennedy.
Edhe
Udhëheqësit e Iranit mendojnë se e kanë mbështetur për muri Trumpin, por strategjia e tyre mbart rreziqe të mëdha
“Ne tashmë kemi filluar t’i bombardojmë këta njerëz; atë prag e kemi kaluar”, i pati thënë Johnson sekretarit të Mbrojtjes, Robert McNamara, në një deklaratë që në njëfarë mënyre i ngjan dilemës strategjike të Trumpit.
“Nuk besoj se ka gjë më të keqe sesa të humbasësh. Por nuk shoh asnjë mënyrë për të fituar”, pati thënë Johnsoni.
Megjithatë, ai autorizoi Operacionin “Rolling Thunder”, intensifikoi bombardimet mbi Vietnamin e Veriut dhe dërgoi dhjetëra mijëra ushtarë të tjerë amerikanë në luftë.
Ai duhej të kishte dëgjuar zëvendëssekretarin e Shtetit, George Ball, i cili në një memorandum paralajmëronte se sapo SHBA-ja të fillonte të pësonte humbje njerëzore, do të futej në një proces “pothuajse të pakthyeshëm” dhe se do të përballej me “poshtërim kombëtar” nëse ndalonte para arritjes së objektivave.
Ball argumentonte se vazhdimi i luftës do ta dëmtonte shumë më tepër udhëheqjen globale të SHBA-së sesa ndjekja e “një rruge të menduar me kujdes drejt kompromisit”.
Lufta u dha fund shpresave të Johnsonit për një mandat të dytë.
Pas tij, Richard Nixoni trashëgoi Luftën e Vietnamit pasi fitoi zgjedhjet e vitit 1968. Shumë historianë besojnë se ai dhe këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Henry Kissinger, e kishin kuptuar tashmë se fitorja ishte e pamundur, por vazhduan luftën me shpresën se do të krijonin kushte më të favorshme për tërheqje dhe do të shmangnin përshtypjen e një disfate amerikane.
“Nëse, kur vjen momenti vendimtar, kombi më i fuqishëm në botë, Shtetet e Bashkuara, sillet si një gjigant i pafuqishëm, atëherë forcat e totalitarizmit dhe anarkisë do të kërcënojnë kombet dhe institucionet e lira në mbarë botën”, pati deklaruar Nixon më 30 prill 1970, duke justifikuar zgjerimin e luftës në Kamboxhia.
Mbi 20 mijë ushtarë amerikanë humbën jetën në Vietnam gjatë presidencës së Nixonit. Trupat e fundit luftarake amerikane u larguan nga Vietnami në vitin 1973, ndërsa personeli i fundit amerikan u evakuua gjatë rënies së Saigonit në vitin 1975, nën presidencën e Gerald Fordit.
Më shumë se 30 vjet më vonë, presidenti George W. Bush mbajti fjalimin e tij për Irakun. Ai pranoi se ishin bërë gabime, por paralajmëroi në vitin 2007 se “dështimi në Irak do të ishte një katastrofë për Shtetet e Bashkuara”. Ai shpalli dërgimin e mijëra ushtarëve shtesë për të ndihmuar forcat irakiane në luftën kundër kryengritësve.
Historia ende nuk ka dhënë një verdikt përfundimtar për atë strategji. Lufta kundër kryengritjes pati sukses në disa zona, por pyetja nëse humbjet amerikane ia vlejtën mbetet e dhimbshme, pasi SHBA-ja u tërhoq përfundimisht nga Iraku.
Presidenti, Barack Obama, u zgjodh me premtimin për t’i dhënë fund “luftërave të pafundme” të Amerikës. Megjithatë, tetë vjet pas sulmeve të 11 shtatorit që e futën SHBA-në në Afganistan, ai njoftoi dërgimin e trupave shtesë për të ndalur përparimin e talebanëve dhe për të shkatërruar përfundimisht Al-Kaedën.
I vetëdijshëm për kurthin e përshkallëzimit ku kishin rënë Johnson, Nixon dhe Bush, Obama premtoi se tërheqja e trupave do të niste në mesin e vitit 2011. Kritikët argumentojnë se vendosja e një afati të qartë i inkurajoi kundërshtarët e SHBA-së që thjesht të prisnin largimin e amerikanëve.
Trumpi fitoi pushtetin duke dënuar pikërisht këto luftëra
Pikërisht këto konflikte të gjata formësuan kritikat e forta të Trumpit, të cilat e ndihmuan që të ai të hynte në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016. Katër ditë para zgjedhjeve, ai foli sulmoi ashpër kundër “luftërave që nuk mbarojnë kurrë, luftërave që ne nuk i fitojmë kurrë”.
Megjithatë, gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi urdhëroi shtimin e trupave amerikane në Afganistan në përpjekje për ta përfunduar luftën.
“Instinkti im fillestar ishte të tërhiqesha, dhe historikisht më pëlqen t’i ndjek instinktet e mia” tha ai.
Rreth tri vjet më vonë, ai fajësoi sekretarin e tij të parë të Mbrojtjes, James Mattis, për atë vendim.
“I dhashë më shumë trupa për një periudhë të shkurtër dhe nuk funksionoi”, tha Trumpi.
Sot, Trumpi përballet sërish me një nga ato vendime të vetmuara që ai vetë i përshkroi në fjalimin e tij për Afganistanin në vitin 2017:
Edhe
SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj Iranit, Trumpi paralajmëron goditjen e objekteve bërthamore
“Gjatë gjithë jetës sime kam dëgjuar se vendimet janë krejt ndryshe kur ulesh pas tavolinës në Zyrën Ovale”, tha ai.
Lufta me Iranin nuk është lufta e George W. Bushit. Është lufta e vetë Donald Trumpit. Dhe mënyra se si do të përfundojë ajo do të përcaktojë trashëgiminë e tij politike, si edhe fatin e shumë njerëzve përtej mureve të Shtëpisë së Bardhë.