Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Fshihet murali i Mlladiqit në Beograd

Një mural i të dënuarit për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq, u fshi të martën.

Murali ishte i pikturuar në fasadën e një ndërtese banimi në rrugën Njegosheva, në qendër të Beogradit.

Aktivistët e mbuluan atë me sprej të bardhë.

Një ditë më herët, aktivistët dhe qytetarët u përpoqën ta hiqnin muralin me furça çeliku, por aksioni përfundoi duke vizatuar një zemër të kuqe, që mbulonte fytyrën e Mlladiqit.

Zemra e kuqe mbeti në murin ku ishte murali.

Edhe Kolumne 2 muaj më parë Një regjim në këmbë për një kriminel lufte

Në të dyja aksionet mori pjesë edhe Gjorgje Miketiq, deputet i Parlamentit të Serbisë nga partia “Zajedno”.

Miketiq tha për REL se fshirja e muralit është pjesë e fushatës “Ta çlirojmë Serbinë nga urrejtja”.

“Ne po e bëjmë këtë si qytetarë të zemëruar, sepse ky mural që madhëron kriminelin e luftës - përgjegjës edhe për vdekje të fëmijëve - ndodhet 200 metra larg shkollës ‘Vlladislav Ribnikar’”, tha Miketiq.

Më 3 maj, në këtë shkollë u vranë tetë nxënës dhe një rojë e sigurisë.

Vrasës i dyshuar është një nxënës i po kësaj shkolle, 13 vjeç, i cili u arrestua.

Vetëm një ditë pas këtij sulmi, një sulmues tjetër i armatosur vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë në disa fshatra të Mlladenovcit, në afërsi të Beogradit.

Edhe Në Bujanoc sërish shfaqen grafite me emër të kriminelit të luftës Ratko Mladiq Arbëri 10 muaj më parë Në Bujanoc sërish shfaqen grafite me emër të kriminelit të luftës Ratko Mladiq

I dyshuari 21 vjeç u arrestua po ashtu.

Mlladiq është dënuar nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje e Hercegovinë.

Muralin kushtuar tij e pikturuan autorë të panjohur në korrik të vitit 2021, në fasadën e një ndërtese banimi në qendër të Beogradit.

Kjo ndodhi një muaj pasi gjykata në Hagë e konfirmoi dënimin e Mlladiqit me burgim të përjetshëm.

Deri më tash, qytetarët kanë hedhur disa herë ngjyrë mbi të.

Komuna e Beogradit, Vraçar, në territorin e së cilës ndodhet ndërtesa me muralin e Mlladiqit, ka njoftuar më 9 dhjetor se, në përputhje me rregulloret, e ka hequr muralin me kërkesë të banorëve të ndërtesës.

Edhe Në Bujanoc shfaqen grafite me emër të kriminelit të luftës Ratko Mladiq, reagojnë politikanët shqiptarë Arbëri 10 muaj më parë Në Bujanoc shfaqen grafite me emër të kriminelit të luftës Ratko Mladiq, reagojnë politikanët shqiptarë

Megjithatë, murali është kthyer në gjendjen e tij origjinale në më pak se gjysmë ore.

Dyshohet se autorët e muralit u përkasin grupeve të djathta në Serbi. /REL