Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Franca kërkon që shtetet e BE-së të vendosin masa ndaj udhëtarëve kinezë

Franca u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të vendosin kushtin e testit negativ për COVID-19 për udhëtarët kinezë.

Parisi veçse ka marrë një vendim të tillë, pasi në Kinë – vendi ku për herë të parë u detektua koronavirusi në fund të vitit 2019 – ka shpërthyer një valë e re infektimesh.

Vetëm Italia dhe Spanja kërkojnë test negativ nga 27 shtetet e bllokut.

Javën e kaluar, zyrtarët shëndetësorë të BE-së dështuan të pajtohen që të marrin një vendim unanim për vendosjen e masës për test negativ për udhëtarët nga Kina.

Por, javën e ardhshme pritet të zhvillohen bisedime të reja për këtë çështje.

Që nga e diela, Franca kërkon nga të gjithë udhëtarët nga Kina që të paraqesin test negativ për COVID-19, të kryer brenda 48 orësh para nisjes nga Kina. Po ashtu, Parisi do të testojë në mënyrë rastësore udhëtarët kinezë.

Edhe Kanada do të kërkojë teste negative për COVID-19 për udhëtarët nga Kina Botë Kanada do të kërkojë teste negative për COVID-19 për udhëtarët nga Kina

“Franca do të kërkojë që kjo metodologji të aplikohet në mbarë BE-në”, tha ministri francez i Shëndetësisë, François Braun, që së bashku me ministrin e Transportit, Clement Beaune, shikuan se si kjo masë po aplikohej në aeroportin Charles de Gaulle në Paris.

I pyetur nëse udhëtarët kinezë të infektuar me COVID që udhëtojnë drejt ndonjë shteti tjetër të BE-së, do të mund të udhëtojnë drejt Francës pa kaluar kontrolle, Baune tha: “Prandaj ne duhet të koordinohemi [në mbarë BE-në] që të jemi më efikas”.

Pasi kishte mbajtur të mbyllur kufijtë për pothuajse tre vjet dhe masa të tjera të ashpra, Pekini më 7 dhjetor njoftoi për lehtësimin e masave kundër koronavirusit. Por, Kina që atëherë është përballur me një valë të re infektimesh. /REL