Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Forcat izraelite thonë se kanë vrarë 90 “terroristë” në spitalin Al-Shifa

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se kanë vrarë 90 persona të cilët i kanë përshkruar si “terroristë”, derisa operacionet e saj në spitalin më të madh të Gazës, Al-Shifa, kanë hyrë në ditën e tretë.

Në një deklaratë të mërkurën, IDF-ja ka thënë se forcat e saj, bashkë me ato të Agjencisë izraelite të Sigurisë (ISA), “kanë eliminuar terroristë dhe kanë lokalizuar armë në zonën e spitalit, derisa kanë parandaluar dëmtimin e civilëve, pacientëve, ekipeve dhe pajisjeve mjekësore”.

Mirëpo dëshmitarët kanë thënë për CNN se disa prej njerëzve në spital janë vrarë e disa të tjerë janë lënduar dhe se trupat e tyre janë larguar nga forcat izraelite.

IDF-ja ka thënë se krahas vrasjes së 90 “terroristëve”, ajo ka marrë në pyetje më shumë se 30 të dyshuar në kompleks dhe se “160 të dyshuar tjerë janë transferuar në territorin izraelit për intervista të tjera”.

Sulmi i forcave izraelite në spital ka nisur të hënën. IDF-ja ka thënë po ashtu se ka vrarë të paktën katër zyrtarë të Hamasit nga një sulm ajror të mërkurën në Rafah.