Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, ka thënë se perspektiva për ekonominë botërore është përmirësuar për shkak të shenjave se inflacioni po qetësohet pas periudhës në të cilën arriti nivelin më të lartë në 40 vjetët e fundit.
Duke folur në sesionin e fundit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Georgieva ka thënë se perspektivat e rritjes ishin përmirësuar në muajt e fundit, por paralajmëroi kundër të qenit shumë optimiste.
“Mesazhi im është se është më pak e keqe se sa kishim frikë disa muaj më parë, por kjo nuk do të thotë mirë. Ajo që është përmirësuar është se inflacioni duket se po priret në drejtimin e duhur, i cili është në rënie”, ka thënë Georgieva.
Komentet e shefes së FMN-së pasuan një rënie të normave vjetore të inflacionit në SHBA, Eurozonë dhe Britaninë e Madhe. FMN-ja do të publikojë parashikimet e përditësuara për ekonominë globale në fund të muajit dhe Georgieva tregoi se do të ketë pak ndryshim në parashikimin aktual të organizatës së saj prej 2.7 për qind rritje për vitin 2023.
Perspektiva për Kinën është përmirësuar pas braktisjes së strategjisë “zero-Covid”, ndërsa tregjet e mëdha të punës kanë rritur shpenzimet.
“Mos kaloni nga shumë pesimiste në shumë optimiste”, paralajmëroi Georgieva, duke shtuar se duke pasur parasysh parashikimet aktuale të rritjes së FMN-së, mund të jetë ende një vit i vështirë për njerëzit në mbarë botën dhe ekziston rreziku që rritja më e fortë e Kinës të rrisë çmimet e energjisë në botë dhe në këtë mënyrë e bëjnë më të vështirë luftën kundër inflacionit.