Ekonomia e Ukrainës pritet të tkurret për 10 për qind këtë vit si rezultat i pushtimit rus, mirëpo pasojat mund të jenë edhe më të rënda nëse konflikti vazhdon, ka njoftuar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), raporton BBC.
Raporti, që është përgatitur përpara miratimit nga FMN-ja të një financimi emergjent prej 1.4 miliardë dollarë për Ukrainën, ka paralajmëruar se prodhimi ekonomik i Ukrainës mund të tkurret për 25 për qind deri 35 për qind duke u bazuar në të dhënat e GDP-së nga Iraku, Libani e shtete tjera në luftë.
Ivanna Vladkova Hollar, shefe e misionit të FMN-së për Ukrainën, ka thënë se autoritetet ukrainase po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbajtur në funksion ekonominë dhe sistemin financiar të vendit.
Të hënën, Banka Botërore ka njoftuar se do të ndajë afro 200 milionë dollarë fonde shtesë për të ndihmuar shërbimet sociale për personat e cenueshëm në Ukrainë. Kjo shumë është ndaras nga ajo prej 723 milionë dollarë që u miratua javën e kaluar.