Finlanda ka marrë vendim të t’i dëbojë nëntë diplomatë në ambasadën ruse në Helsinki, nën akuzat se po punojnë në misionet e inteligjencës, ka thënë të martën Zyra e Presidentit finlandez, raportoi Reuters.
"Veprimet e tyre janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike", ka thënë Zyra e Presidentit në një deklaratë, duke shtuar se do të informojë ambasadorin rus për dëbimet.
Vendimi është marrë në një takim midis presidentit finlandez Sauli Niinisto dhe komitetit ministror të vendit për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë.
Edhe fqinjët nordikë, Norvegjia dhe Suedia kanë dëbuar diplomatë rusë muajt e fundit me pretendimin se ishin oficerë të inteligjencës.
Moska ka mohuar që diplomatët e saj janë përfshirë në aktivitete të pahijshme, duke iu kundërpërgjigjur Suedisë dhe Norvegjisë me anë të dëbimit të diplomatëve të tyre.
Niinisto dhe komiteti ministror i Finlandës për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të martën dënuan shkatërrimin e digës Nova Kakhovka në Ukrainë, duke e quajtur atë fatkeqësi humanitare dhe mjedisore.
"Shpërthimi shënon një përshkallëzim të luftës në një mënyrë të re, duke shkaktuar shkatërrim të gjerë në Ukrainë për civilët dhe mjedisin”, kanë shtuar ata.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për hedhjen në erë të digës, ndërsa Kremlini ka thënë se është vetë Ukraina që e ka sabotuar atë.