Finlanda ka nisur të martën debatin përfundimtar në parlament për anëtarësimin në NATO, pa pritur miratimin e Turqisë dhe Hungarisë, raportoi “Euronews”.
Helsinki zyrtar nuk po e pret as Suedinë fqinje, e cila gjithashtu ka qenë kandidate që nga viti i kaluar, por aktualisht po përballet me veton turke.
Qeveria e kryeministres në largim Sanna Marin, dëshiron të shmangë çdo vakum të mundshëm politik, me zgjedhjet që pritet të mbahen më 2 prill.
"Do të kishim shpresuar që të bëheshim anëtarë të NATO-s tashmë. Finlanda dhe Suedia përmbushin të gjitha kriteret, siç u përmend, dhe ne jemi ende duke pritur. Dhe sigurisht, kjo tendos politikën e dyerve të hapura të NATO-s, ka të bëjë gjithashtu me besueshmërinë e NATO-s”, është shprehur Marini.
200 anëtarët e parlamentit finlandez, do të fillojnë debatin për projekt-ligjin e pranimit në NATO të martën, me një votim që pritet të ndodhë të mërkurën.
Debati përkon me një vizitë në Finlandë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për takime me udhëheqësit kryesorë politikë.
"Ka ardhur koha
që Ankaraja dhe Budapesti të ratifikojnë ofertat e anëtarësimit të dy vendeve nordike. Si Finlanda, ashtu edhe Suedia e kanë përmbushur atë që i premtuan Turqisë”, ka thënë Stoltenberg.
Turqia konfirmoi të hënën se mund të ndajë ratifikimin e Finlandës nga ai i Suedisë.
Hungaria deri më tani nuk ka përmendur ndonjë pengesë për miratimin e ofertës, por mbetet e pasigurt.