Botë

Fëmijët të rrezikuar nga varianti i ri i mpoxit në Kongo

Mpox

Shenjat nga virusi mpox vërehen akoma në fytyrën e 7-vjeçares Grace Kabuo, si dhe te disa nga bashkëmoshatarët e saj në kampin e të zhvendosurve afër Gomas, në Republikën Demokratike të Kongos.

Grace është shëruar nga virusi, që njihet si “lija e majmunit”. Nëna e saj, Denise Kahindo thotë se është akoma e pasigurt me mënyrën se si i është infektuar vajza në fillim të muajit, raporton agjencia “Reuters”.

“Vetëm i vërejta simptomat në trupin e saj”, tha ajo.

Për ekspertët e sëmundjes, rasti i Graces përbën një shqetësim të ri për mpoxin, që është identifikuar 50 vjet më parë. Infeksioni i është shkaktuar nga një variant i ri, që duket të jetë më i aftë të transmetohet sesa variantet e mëparshme.

Doktorët lokalë thonë se panë 130 raste të dyshuara me mpox, shumica gati në fëmijë dhe adoleshentë, gjatë katër javëve të fundit në objektin afër që i trajton të zhvendosurit nga kampet.

“50 për qind e rasteve janë fëmijë nën 5 vjeç”, tha Pierre-Olivier Ngadjole, këshilltar mjekësor. “Fëmijët luajnë bashkë... dhe në kampet e të zhvendosurve, njerëzit janë shumë afër njëri-tjetrit”.
Mpox, infeksion virusal mund të shpërndahet përmes kontaktit të afërt, është zakonisht i lehtë, por në disa raste mund të rezultojë me vdekje. Shkakton simptoma si të gripit dhe lezione me qelb në trup.

Nga shpërthimi i mpoxit në Kongo deri tani janë regjistruar 27 mijë raste dhe kanë vdekur më shumë se 1100 njerëz, shumica fëmijë, që nga fillimi i vitit 2023. Varianti i ri “Clade Ib”, duket se po përhapet më lehtë përmes kontaktit të afërt, siç duket të jetë rasti mes fëmijëve.