Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

FDA-ja autorizon vaksinat anti-COVID për foshnjat dhe parashkollorët

Rregullatorët amerikanë autorizuan të premten vaksinat e para të COVID-19 për foshnjat dhe parashkollorët, duke hapur rrugën që vaksinimet të fillojnë javën e ardhshme, raportoi Associated Press të premten.

Veprimi i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) ndjek rekomandimin unanim të panelit të saj këshillues për dozat e vaksinës nga Moderna dhe Pfizer. Kjo do të thotë se fëmijët amerikanë nën 5 vjeç - afërsisht 18 milionë të tillë, kanë të drejtë për vaksinat, rreth 1 vit e gjysmë pasi vaksinat u bënë të disponueshme për herë të parë në SHBA për të rriturit, të cilët janë goditur më së shumti gjatë pandemisë.

FDA-ja autorizoi gjithashtu vaksinën e Modernas për fëmijët e moshës shkollore dhe adoleshentët. Dozat e Pfizerit kishin qenë më parë të vetmet në dispozicion për ato mosha.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë se si të përdoren vaksinat dhe këshilltarët e saj për vaksinat kanë vendosur të diskutojnë për vaksinat për fëmijët më të vegjël të premten dhe të votojnë të shtunën.

Disa prindër e kanë pritur me padurim mundësinë për të mbrojtur të vegjlit e tyre.

Ndërsa fëmijët e vegjël në përgjithësi nuk sëmuren nga COVID-19 si fëmijët më të rritur dhe të rriturit, shtrimet e tyre në spital u rritën gjatë valës së Omicronit dhe këshilltarët e FDA-së përcaktuan se përfitimet nga vaksinimi i tejkalonin rreziqet minimale.