Lifestyle

SHBA-ja i bie pishman për vaksinimin e fëmijëve nën 5 vjeç

Administrata e Ushqimit dhe Barnave, e shqetësuar për numrin e fëmijëve me variantin Omicron, kishte ndërmarrë hapin e jashtëzakonshëm duke i kërkuar “Pfizerit” të aplikonte për vaksinim me dozë shumë të ulët para se të ishte e qartë nëse të vegjëlve do t’u duheshin dy apo tri injeksione. Plani i agjencisë mund t’i kishte lejuar që vaksinimet të fillonin brenda pak javësh

Vaksinimet kundër COVID-19 për fëmijët nën moshën 5- vjeçare u goditën nga një tjetër vonesë disamujore të premten pasi rregullatorët amerikanë frenuan befas përpjekjet e tyre për ta shpejtuar rishikimin e vaksinave që “Pfizer” po teston për të rinjtë.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave, e shqetësuar për numrin e fëmijëve me variantin Omicron, kishte ndërmarrë hapin e jashtëzakonshëm duke i kërkuar “Pfizerit” të aplikonte për vaksinim me dozë shumë të ulët para se të ishte e qartë nëse të vegjëlve do t’u duheshin dy apo tri injeksione. Plani i agjencisë mund t’i kishte lejuar që vaksinimet të fillonin brenda pak javësh.

Mirëpo të premten FDA-ja e ndryshoi kursin dhe ka njoftuar se ishte bërë e qartë se agjencia duhej të priste për të dhëna se sa mirë funksionon një injeksion i tretë për grupmoshat më të reja. “Pfizer” ka deklaruar se i presin të dhënat në fillim të prillit.

FDA-ja merr përgjegjësinë

Shefi i vaksinave të FDA-së, doktori Peter Marks, ka theksuar se shpresonte që prindërit të kuptonin se vendimi i agjencisë ishte pjesë e rishikimit të kujdesshëm shkencor të provave që “Pfizer” ka paraqitur deri më tani.

Ky informacion “na bëri të kuptojmë se na duhej të shihnim të dhëna nga një dozë e tretë testimi në vazhdim, në mënyrë që të arrinim në një përfundim”, u tha Marks gazetarëve. “Ne e marrim përgjegjësinë tonë për rishikimin e këtyre vaksinave shumë seriozisht ngaqë edhe ne jemi prindër po ashtu”.

18 milionë fëmijë të vendit nën 5 vjeç përbëjnë të vetmen grupmoshë që ende nuk kualifikohet për vaksinim.

Rachel Perera, nëna e një fëmije 8-muajshe nga Los Anxhelosi, ka thënë se lajmet e së premtes sikur “ma tërhoqën qilimin nën këmbë”.

Pas konsultimit me pediatrin e saj, Perera shpresonte se vaksina do të ishte në dispozicion këtë dimër ose më së voni në fillim të vitit 2022. Studiuesja e politikave arsimore dhe bashkëshorti i saj po kujdesen për fëmijën e tyre në mënyrë që t’i shmangin paparashikueshmëritë dhe rreziqet ndaj fëmijëve gjatë pandemisë. Kjo do të thotë se ajo do të vazhdojë të punojë në disertacionin e saj për doktoratën që ajo po e ndjek kur fëmija i saj fle gjumë. Për më tepër, Perera thekson se është dërrmuar nga llogaritjet e përditshme të rreziqeve.

“Jam e lodhur e me vete them “kur do të përfundojë kjo?” – pyeti Perera. “Duket sikur njerëzit përreth nesh po vazhdojnë me jetën e tyre dhe ne kemi mbetur pas”.

"Mendoj se ata morën vendimin e duhur për të qenë të kujdesshëm dhe për t’i pritur të dhënat e dozës së tretë”, është shprehur doktori i Universitetit Georgetown, Jesse Goodman.

“Ishte aq bukur të dëgjoje se mund të kishte të dhëna premtuese nga dy dozat e më pas vjen një lajmërim i tillë si: “Hej, mund të kemi edhe një vaksinë brenda pak javësh”, ka shtuar ai. “Mendoj se ky mesazh po i bën njerëzit më konfuz”.

Nuk është vonesa e parë

Nuk është vonesa e parë. “Pfizeri” fillimisht priste të dinte deri në fund të dhjetorit nëse dozat tepër të ulëta funksiononin për fëmijët nën 5 vjeç - vetëm për t'u përballur me një pengesë zhgënjyese. Rezultatet e studimit paraprak treguan se dy vaksina ishin të sigurta dhe mjaft të forta për t'u dhënë mbrojtje të mirë foshnjave 6-muajshe. Por, sapo të vegjlit arritën moshën parashkollore - 2 deri në 4 vjeç - dy doza nuk ishin mjaftueshëm mbrojtëse, duke nxitur shtimin e një të tretës në studim.

Pra, ishte një surprizë kur disa javë më parë FDA-ja i kërkoi “Pfizerit” dhe partnerit të saj “BioNTech” të vazhdonin dhe të aplikonin dozat. Javën e ardhshme këshilltarët e pavarur shkencorë të agjencisë u vendosën të debatonin publikisht nëse ishte në rregull që të fillonin t'u jepnin fëmijëve dy doza përpara se të kishte prova se një e treta do t'u jepte atyre mbrojtjen shtesë të nevojshme - një veprim shumë i pazakontë.

Të premten FDA-ja e anuloi papritur atë takim duke premtuar se do ta mbajë atë pasi “Pfizer” t’i dorëzojë provat e dozës së tretë. Edhe nëse “Pfizer” përfundon paraqitjen e tij deri në fillim të prillit, FDA-së dhe autoriteteve të tjera shëndetësore do t’u duhen disa javë për t’i shqyrtuar dhe verifikuar publikisht të dhënat.

Në fillim të kësaj jave Marks i FDA-së vuri në dukje se sa shpejt po ndryshonte pandemia. Përpara Ditës së Falënderimeve askush nuk kishte dëgjuar për Omicron, deri në muajin e kaluar kur infeksionet pediatrike COVID-19 kishin arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave - dhe tani rastet po bien shpejt pasi mutanti i fundit po digjet.

Shkalla e vaksinimit ka qenë më e ulët tek fëmijët sesa në grupmoshat e tjera. Që nga java e kaluar vetëm 22% e fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç dhe pak më shumë se gjysma e 12 deri në 17 vjeç ishin vaksinuar plotësisht, sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë. Gati tre të katërtat e të rriturve janë plotësisht të vaksinuar.

“Kemi nevojë për këtë mbrojtje për fëmijët tanë”

Sondazhi i Fondacionit të Familjes Kaiser, i kryer muajin e kaluar, zbuloi se vetëm 3 në 10 prindër të fëmijëve nën 5 vjeç do ta vaksinonin fëmijën e tyre sapo të autorizoheshin injeksionet, teksa rreth një e katërta thanë se nuk do ta bënin patjetër.

Moira Szilagyi, presidentja e grupit të pediatërve, e ka pranuar zhgënjimin e prindërve, ama ka vënë në pah në një deklaratë se mjekët ishin të përkushtuar ndaj “një procesi të kujdesshëm, të fortë dhe transparent për të vlerësuar provat”.

Natasha Burgert, mjeke pediatre në Overland Park, Kansas, është shprehur: “Ne thjesht jemi të mërzitur. Kemi nevojë për këtë mbrojtje për fëmijët tanë”.

Ajo tha se disa familje ka të ngjarë të ndihen të lehtësuar “sepse nuk donin ta merrnin atë vendim pa të dhëna të mira të efikasitetit. Grupet e tjera të prindërve thjesht po bërtasin: “Na jep një zgjedhje. Na tregoni se çfarë keni për të ofruar dhe na lini të bëjmë një zgjedhje. Le të kemi edhe ne qasje në të”.

Përktheu: Blerta Haxhiu