Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

FBI-ja krahason sulmet kibernetike ruse me kërcënimin e 11 shtatorit

Drejtori Christopher Wray, ka bërë të ditur gjithashtu se agjencia është duke i hetuar rreth 100 lloje të sulmeve kibernetike, shumica e të cilave si adresë përfundimtare kanë grupet kriminale në Rusi

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka krahasuar valën e fundit të sulmeve kibernetike ndaj Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe entiteteve të ndërlidhura me telashet e mbrojtjes që ishin shpërfaqur me rastin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të 2001-s.

Pos kësaj, drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka bërë të ditur të premten se agjencia është duke i hetuar rreth 100 lloje të sulmeve kibernetike, gjurmët e shumicës prej të cilave çojnë drejt operuesve kriminalë në Rusi.

“Ekzistojnë shumë paralele, rëndësia është shumë e madhe dhe vëmendja më e madhe e të gjithë nesh është përqendruar në pengimin dhe parandalimin e këtyre sulmeve”, ka thënë Wray të premten, duke folur për të përditshmen “Wall Street Journal”. “Ka përgjegjësi të ndara, jo vetëm përreth agjencive qeveritare, por edhe përgjatë sektorit privat dhe madje një amerikani të thjeshtë”, ka shtuar ai, teksa ka raportuar e përditshmja britanike “The Guardian”.

Komentet e drejtorit të FBI-së janë bërë në valën e dy sulmeve të mëdha kibernetike të kohëve të fundit. Cak i tyre ishin kompania më e madhe e përpunimit të mishit në SHBA dhe industritë e gazit. Sulmet kanë nxitur ndaljen e përkohshme të operacioneve të tyre.

Hakimet kanë depërtuar gjithashtu edhe në disa sisteme online të qeverisjes lokale.

Edhe FBI-ja akuzon hakerët e lidhur me Rusinë për sulm kibernetik Botë FBI-ja akuzon hakerët e lidhur me Rusinë për sulm kibernetik

JBS, e cila mbulon më shumë se 20 për qind të të gjithë furnizimit të SHBA-së me mish, ka zbuluar se të gjitha fabrikat e saj në vend janë shtrënguar të dielën që të kalojnë në sisteme offline, si rrjedhojë e sulmit kibernetik.

Kompania, e cila që atëherë ka vazhduar operimet, është detyruar që të ndalë punimet për ta rikthyer funksionimin normal. Ky sulm besohet ta ketë po ashtu origjinën nga Rusia.

Colonial Pipeline, i cili e operon naftësjellësin më të madh në SHBA, ka konfirmuar më 19 maj t’i ketë paguar 4.4 milionë dollarë një grupi hakerësh që kishin ndërhyrë në sistemet e saj kompjuterike dy javë më herët. Zyrtarë të kompanisë kanë thënë për “Guardianin” se janë detyruar që t’i fikin funksionet online në naftësjellës për të shmangur përhapjen potenciale të virusit në kontrollet operacionale.

Ndërprerja pothuajse njëjavore e punës në kompani ka nxitur blerje nga paniku dhe mungesë të naftës në pompat e mbushjes, duke nxitur njëherësh rritjen e çmimeve.

Derisa këto sulme në industritë e naftës, gazit dhe mishit ishin të profilit më të lartë gjatë kohëve të fundit, Wray ka thënë se ato përbëjnë vetëm një hise të vogël të varianteve të reja të ndërhyrjeve kibernetike që tanimë janë duke u hetuar nga autoritetet federale.

Secila prej këtyre 100 llojeve të sulmeve prekin prej 12 deri në 100 caqe të ndryshme, ka thënë Wray për Guardian.

“Përmasat e këtij problemi janë të tilla që mendoj se e kanë lodhur vendin”, ka shtuar ai për gazetën.

Edhe SHBA paralajmëron bankat kundër sulmeve kibernetike ruse Botë SHBA paralajmëron bankat kundër sulmeve kibernetike ruse

Administrata e presidentit Joe Biden, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Rusinë lidhur me sulmin në JBS.

“JBS-ja ka njoftuar administratën se dërgesa e virusit ka ardhur nga një organizatë kriminale, me gjasë me seli në Rusi. Shtëpia e Bardhë është angazhuar drejtpërsëdrejti me Qeverinë ruse për këtë çështje dhe ka përçuar mesazhin se shtetet e përgjegjshme nuk strehojnë në vend kriminelë kibernetikë”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.