Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

FBI-ja kërkon spiunin iranian që dyshohet se po komploton vrasjen e zyrtarëve amerikanë

Byroja Federale e Hetimit (FBI) në SHBA është duke e kërkuar një spiun iranian të pretenduar. FBI-ja dyshon se ai është i përfshirë në komplote për të vrarë zyrtarë dhe ish-zyrtarë qeveritarë të SHBA-së, raporton “BBC” të martën.

Agjencia akuzon Majid Farahanin (42) se po komplotonte për vrasje hakmarrëse. Donte të nxjerrtë hak për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani.

Soleimani, komandant i forcave “Quds” të Iranit, u vra në një sulm amerikan me dron në Irak në janar të vitit 2020.

FBI-ja thotë se Farahani kishte vepruar në emër të Ministrisë së Inteligjencës së Iranit.

Në një njoftim të postuar të premten, FBI-ja tha se e kërkonte Majid Dastjani Farhanin për ta marrë në pyetje në lidhje me rekrutimin e individëve për operacione në SHBA.

Zyrtarët thanë se Farahani udhëton mes Iranit e Venezuelës dhe se ka rekrutuar aleatë për “aktivitete të mbikëqyrjes të fokusuara në objekte fetare, biznese dhe objekte tjera” në SHBA.

Edhe Irani konfirmon vrasjen e njërit prej zyrtarëve të saj të lartë Botë Irani konfirmon vrasjen e njërit prej zyrtarëve të saj të lartë

Në dhjetor të vitit 2023, Farahani dhe një zyrtar tjetër i supozuar i inteligjencës u sanksionuan nga Thesari i SHBA-së.

BBC-ja ka kontaktuar zyrtarët iranianë në Washington e New York për të marrë një koment.

Zyrtarët iranianë janë zotuar të hakmerren për vrasjen e Soleimanit, që shihej gjerësisht si personi i dytë më i fuqishëm në Iran. Ai u vra në aeroportin e Bagdadit së bashku me disa iranianë. Urdhri për sulm ishte dhënë nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump.