Vendet evropiane kanë dënuar aksionet sulmuese të Rusisë në Ukrainë, të enjten.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane ka thënë se kancelari Olaf Scholz ka folur me presidentin ukrainas dhe i ka shprehur solidaritet, raporton BBC.
"Ne kemi një luftë tokësore në Evropë që menduam se do ta gjenim vetëm në librat e historisë. Është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar", shtoi në një deklaratë ministri i ekonomisë Robert Habeck.
Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se ishte i tmerruar nga sulmi rus i paprovokuar dhe se Britania do të përgjigjet me vendosmëri.
Kryeministri italian Mario Draghi ka thënë se veprimet e Rusisë janë të paarsyeshme dhe të pajustifikueshme.
Kurse, qeveria polake ka thënë se është koha të forcohet krahu lindor i NATO-s.