Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka thënë kancelares gjermane Angela Merkel, se rregulloret për refugjatët në mes të Turqisë dhe Bashkimit Evropian nuk janë duke funksionuar dhe duhet të rishikohen.
Bashkimi Evropian u ka kërkuar të premten refugjatëve në kufirin turk që të mos kalojnë në anën e Greqisë, duke dhënë shenja për ofrim të ndihmës për Ankaranë, teksa përplasjet në mes të policisë greke dhe refugjatëve kanë hyrë në javën e dytë, raporton KOHA.
Në një bisedë telefonike, Erdogan po ashtu i ka thënë kancelares Merkel se marrëveshja për armëpushim me Rusinë për rajonin e Idlibit në Siri, synon t’i mbrojë civilët dhe trupat turke atje.
Turqia javën e kaluar i ka hapur kufijtë drejt Evropës, duke thënë se nuk mund të zbatojë më një marrëveshje të vitit 2016 me BE-në për të parandaluar hyrjen e refugjatëve në Evropë. Turqia tashmë strehon mbi 3.7 milionë refugjatë sirianë dhe emigrantë nga vendet tjera të Lindjes së Mesme.