Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka eleminuar një kërkesë për moshën e daljes në pension, një lëvizje që ua mundëson më shumë se 2 milionë punëtorëve të pensionohen menjëherë.
Vendimi është marrë më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve në Turqi.
Partia AK në pushtet e Erdoganit bëri një rritje të madhe të pagës minimale javën e kaluar si pjesë e një fushate për të rifituar mbështetjen e gërryer nga inflacioni, rënia e lirës dhe një rënie e mprehtë e standardeve të jetesës, raportoi Reuters të enjten.
Nga marrëveshja e re do të përfitojnë personat që kanë filluar të punojnë përpara shtatorit të vitit 1999, kur ligji që rregullon kërkesat e pensionit ndryshoi, dhe që kanë mbushur 20-25 vjet jetë pune të regjistruar në sigurimet shoqërore.
Më parë, mosha e daljes në pension ishte 58 vjeç për gratë dhe 60 vjeç për burrat. Nuk është bërë ende e qartë se sa do të kushtojë sistemi i ri, por Erdogani ka thënë se 2.25 milionë njerëz kishin të drejtë të dilnin në pension menjëherë. Aktualisht në Turqi janë 13.9 milionë pensionistë.
Edhe
Ish-drejtuesi i partisë kryesore opozitare turke zotohet ta sfidojë Erdoganin me parti të re
Grupet e punës kanë protestuar për kërkesën minimale të moshës për disa vite, duke kërkuar që në vend të kësaj punëtorëve t'u kërkohet vetëm të plotësojnë numrin e detyrueshëm të ditëve të punës për të dalë në pension. Lëvizja po shihet si një shtysë Erdoganit përpara zgjedhjeve kritike që do të zhvillohen në qershor.