Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të mërkurën se qëndrimi i Armenisë ndaj Azerbajxhanit është i papranueshëm dhe do të ketë pasoja, shkroi Reuters të mërkurën.
Ky reagim i Erdoganit erdhi pas disa ditësh përplasje mes dy fqinjëve.
"Ne e konsiderojmë situatën që ka ndodhur për shkak të shkeljes së marrëveshjes nga Armenia - e arritur pas luftës së vitit 2020 që rezultoi me fitoren e Azerbajxhanit”, ka thënë Erdogan në një tubim në kryeqytetin turk, Ankara.
Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat kanë pasur mosmarrëveshje për dekada për enklavën e Nagorno-Karabak, akuzuan njëra-tjetrën për fillimin e luftës së zhvilluar të hënën mbrëma, ku mbetën të vdekur mbi 100 ushtarë.
“Ne shpresojmë që Armenia të kthehet nga kjo rrugë e gabuar sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përdorë kohën dhe energjinë e saj për të forcuar paqen. Ky qëndrim sigurisht që do të shkaktojë pasoja për palën armene, e cila jo vetëm që nuk përmbush kushtet e marrëveshjes së nënshkruar, por gjithashtu shfaq vazhdimisht një qëndrim agresiv”, shtoi Erdogan.
Në thelb të mosmarrëveshjes është rajoni i Nagorno-Karabakut. Ky rajon, sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht, është pjesë e Azerbajxhanit, por është i populluar nga armenë etnikë.