Botë

“Ëndrra e keqe” për gratë refugjate të Ukrainës

Një dekret i Qeverisë së Ukrainës që ndalon burrat e moshës 18 deri në 60 vjeç të largohen nga vendi do të thotë se shumica e atyre që ikin nga Ukraina janë gra dhe fëmijë. Politika synon të inkurajojë burrat që të regjistrohen për të luftuar kundër pushtimit të Rusisë ose për t’i mbajtur ata të disponueshëm për rekrutim në forcat e armatosura

Ishte ditë ndërkombëtare për të festuar gratë, mirëpo shumë që ikin nga Ukraina e ndiejnë vetëm stresin e gjetjes së një jetë të re për fëmijët e tyre, teksa burrat, vëllezërit dhe baballarët qëndrojnë prapa për ta mbrojtur vendin e tyre nga pushtimi i Rusisë.

Numri i refugjatëve që ikën nga Ukraina arriti në 2 milionë, të martën, sipas Kombeve të Bashkuara, eksodi më i shpejtë që Evropa ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Polina Shulga u përpoq t’ia lehtësonte rrugëtimin vajzës së saj 3-vjeçare duke e fshehur të vërtetën.

“Sigurisht që është e vështirë të udhëtosh me një fëmijë, ama i shpjegova se do të shkojmë në pushime dhe se patjetër do të kthehemi në shtëpi një ditë kur lufta të mbarojë”, thotë Shulga.

Ajo nuk kishte ide se çfarë do të ndodhte më tej pasi mbërriti në Hungari nga kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, mirëpo besonte se përvoja po e bënte atë më të fortë. “Ndihem sikur jam përgjegjëse për fëmijën tim, kështu që ishte më e lehtë për mua ta bëja këtë hap dhe të largohesha, sepse nëse nuk do ta kisha pasur fëmijën, ndoshta nuk do të kisha guxuar të shkoja drejt të së panjohurës”, ka sqaruar ajo, teksa vajza e saj e vogël e tërhiqte për cepin e palltos së saj.

Nataliva Grigoriyvona Levchinka, refugjate nga Donetsk në Ukrainën lindore, ndihej pothuajse njësoj.

“Përgjithësisht jam në një lloj ëndrre të tmerrshme që nuk po mbaron”, ka thënë mësuesja në pension. “Do të isha në një lloj abstraksioni në qoftë se nuk do të ishte vajza ime. Nuk do të isha në gjendje të vija në vete”.

Një dekret i Qeverisë së Ukrainës që ndalon burrat e moshës 18 deri në 60 vjeç të largohen nga vendi, do të thotë se shumica e atyre që ikin nga Ukraina janë gra dhe fëmijë. Politika synon të inkurajojë burrat që të regjistrohen për të luftuar kundër pushtimit të Rusisë ose për t’i mbajtur ata të disponueshëm për rekrutim në forcat e armatosura.

Mst: Skenat e ndarjes

Kjo ka krijuar skena rrëqethëse të ndarjes dhe shqetësime në rritje pasi disa pjesë të rrethuara dhe të goditura të Ukrainës rrëshqasin jashtë mundësive.

Në një kamp refugjatësh në Moldavi, Elena Shapoval kërkoi falje për lotët e saj. Ata nuk i fshehu as nga fëmijët e saj, njëri 4 dhe tjetri 8 vjeç, teksa kujton udhëtimin e tyre nga Odesa. I vogli nuk e kupton se çka po ndodh, shpjegoi Shapoval, kurse i madhi përpiqet ta qetësojë atë duke i thënë: “Mami, gjithçka do të jetë në rregull”.

Ajo nuk mund të rrëzohet tani duke menduar për jetën që lanë pas. “E kuptoj se do të na duhet të punojmë më shumë tani”, ka theksuar ajo. “Më duhet ta marr veten, sepse kam dy fëmijë e më duhet ta forcoj vullnetin si një grusht”.

Në Rumani, Alina Rudakova filloi të qajë pasi kuptoi se e kishte harruar plotësisht Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Vitin e kaluar, 19-vjeçarja nga Melitopol mori një buqetë me lule nga babai i saj dhe dhurata nga të afërm të tjerë.

“Këtë vit as që e mendova këtë”, tha ajo. “Kësaj radhe ishte një ditë e tmerrshme”.

Në një teatër në Qendrën Kulturore të Ukrainës në qytetin polak të Przemysl pranë kufirit, gra dhe fëmijë mbushën shtretër të improvizuar. Disa kontrolluan sërish telefonat e tyre për lajme.

“Ishte e vështirë të përgatitesha për të udhëtuar”, ka bërë të ditur një refugjate nga afër Kievit, e cila dha vetëm emrin e saj të parë, Natalia. “Motra ime tha se jam shumë e guximshme, ama për mendimin tim jam frikacake. Dua të shkoj në shtëpi".

Dhe në pikën kufitare Medyka në Poloni, Yelena Makarova tha se fluturimi i saj i nxituar nga Kremenchuk me nënën dhe vajzën e saj adoleshente shënoi fundin e jetës së saj siç e dinte. Babai, burri dhe vëllai i saj mbetën të gjithë prapa.

“Uroj që lufta të përfundojë sa më shpejt, sepse a e dini, për çdo nënë, çfarë mund të jetë më e keqe?”. “Nuk mund ta kuptoj pse po vdesin fëmijët tanë. Nuk e di”, është shprehur ajo.