Mbretëresha Elizabeth ka pranuar këshillat e mjekëve për të pushuar për disa ditë dhe ka anuluar udhëtimin e paraparë në Irlandën Veriore. Pallati Buckingham nuk ka dhënë detaje lidhur me vendimin, ndërsa ka bërë të ditur se mbretëresha 95-vjeçare është mirë por e zhgënjyer për anulimin e udhëtimit. Ajo do të pushojë në Kështjellën Windsdor, në të cilën ka qëndruar që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit.
Vendimi për pushim është marrë vetëm pak ditë pasi mbretëresha është parë duke përdorur bastun gjatë një ceremonie publike. Bastunin ajo nuk e kishte përdorur që prej vitit 2003, kur i ishte nënshtruar një operimi në gju. Monarkja ka orar shumë të ngjeshur detyrash mbretërore. Të martën e kishte organizuar një ceremoni me diplomatë dhe liderë botërorë të fushës së biznesit.