Në vend se të jenë të rralla, armët janë kudo. Që prej 2000-s, vitit pas masakrës në shkollën Columbine të Colorados, numri i armëve të prodhuara në SHBA është trefishuar. Vlerësohet se janë diku 400 milionë armë në SHBA – më shumë se një për secilin banorë të SHBA-së – që bëhet shteti me shkallën më të lartë të posedimit të armëve në botë
I riu me xhinse dhe syze dielli me krenari prezanton armën në një video në YouTube. Pastaj u tregon 1 milion ndjekësve të tij se si të shfrytëzojnë karikatorin shtesë dhe ofron analiza të frikshme.
“Goxha e mirë për një qitës aktiv nëse u duhen karikatorë shtesë”, thotë ai.
Është video tipike, një prej mijëra stërvitjeve të stilit ushtarak për pronarët e armëve. Në këto video ofrohen instruksione për shurdhuesit e armëve, lansuesit e granatave, qitja nga automjetet apo edhe nga ndërtesat. Uebfaqe të tjera shesin kamuflazhe për armë, maska gazi dhe jelek antiplumb.
“Nuk duhet të frikësoheni nga NRA-ja [Asociacioni Kombëtar për Armët]. Duhet të frikësoheni nga ne”, kishte shkruar një tregtar ilegal i armëve në rrjetin social “Twitter”.
Teksa amerikanët janë shqetësuar nga vrasjet e përsëritura në masë, zyrtarët e rendit dhe ekspertët e ekstremizmit kanë vërejtur hapësirën e madhe në internet që u dedikohet armëve dhe të drejtave për armët: forumet për armë, videot për stërvitjet taktike, uebfaqet që shesin armë dhe platforma të rrjeteve sociale në të cilat pronarët e armëve me qëndrime të djathta ekstreme shkëmbejnë instruksione dhe flasin për skena të errëta për përdorimin e armëve.
Edhe
Një grup planifikoi sulm me dronë e snajperë në ngjarjen e UFC-së në Shtëpinë e Bardhë
Është ekosistem i pasur me rekrutë potencialë për grupet ekstremiste që shfrytëzojnë vijën shpesh të paqartë që ndan mbështetjen tradicionale për të drejtën kushtetuese për mbajtjen e armëve nga lëvizjet ushtarake antiqeveritare që mbrojnë racizmin dhe dhunën.
Supremacia e bardhë
Supremacistët e racës së bardhë kanë kryer sulmet më vdekjeprurëse në tokën amerikane në pesë vjetët e fundit, përfshirë vrasjet në sinagogën e Pittsburghut në vitin 2018 dhe kasaphanën e vitit 2019 kur cak ishin latino-amerikanët në qendrën tregtare të Teksasit, në të cilën u vranë 23 persona.
I armatosuri që kreu sulmin e muajit të kaluar në Buffalo, pohoi se ishte radikalizuar kur mërzia nga pandemia e nxiti që të bëhej pjesë e grupeve të ekstremit të djathtë dhe shikoi videot e trajnimeve taktike në internet.
Një nga kompanitë e përmendura në formë të qartë nga vrasësi shet aksesorë të armëve dhe operon kanale të njohura në rrjetet sociale që mburren me videot për trajnimet taktike. Në video mësohet për qitje nga automjetet, sulme nga ndërtesat, përdorimi i maskave kundër gazit lotsjellës dhe syzeve për shikim gjatë natës.
“Mendoj se do të shohim shpeshtim të këtyre sulmeve”, ka thënë Kurt Braddock, profesor dhe hulumtues i ekstremizmit në Polarization and Extremism Research and Innovation Lab” në American University.
“Derisa të arrijmë të gjejmë mënyrën për të adresuar këtë çështje, ky lloj i keqinformimit do të vazhdojë të përhapet dhe me të do të rritet rreziku për radikalizim dhe dhunë”, ka shtuar ai.
Politikanët e zgjedhur në disa shtete janë duke menduar se si ta adresojnë rolin e internetit në radikalizimin e ekstremistëve. Ligjvënësit e New Yorkut, për shembull, së fundmi kanë prezantuar ligjin që obligon rrjetet sociale të vendosin rregulla për “sjellje të urrejtjes” dhe të krijojnë mekanizma për përdoruesit që të raportojnë për postimet shqetësuese që mund të lexojnë.
Prokurorja e përgjithshme e New Yorkut, Letitia James, ka nisur hetimin e disa platformave të përdorura nga vrasësi në Buffalo, i cili transmetoi sulmin e tij në “Twitch”, pronë e Amazonit. Platforma e transmetimeve e mbajti direkt videon e tij për dy minuta.
Autoritetet federale kanë marrë masa, duke rritur fondin për hetime mbi terrorizmin e brendshëm, sfidë që drejtori i FBI-së, Christopher Wray, e cilësoi si gjendje “metastaze”. Mirëpo, ligji nuk mund të bëjë asgjë veçse të monitorojë pasi ekstremistët përdorin kërcënimin për kontrollin e armëve për të rekrutuar anëtarë të rinj.
Edhe
Dronët, shqetësim për sigurinë në Kupën e Botës
Ekstremistët çdo përpjekje për të rregulluar posedimin e armëve e cilësojnë si parathënie për konfiskimin e tyre, thotë Callum Hood, drejtor i hulumtimeve në “Qendrën kundër urrejtjes digjitale”, organizatë me bazë në Britani që hulumton ekstremizmin online dhe abuzimin”.
“Mesazhi shumë shpejt bëhet: ‘qeveria do t’ua marrë armët dhe do t’ju lërë të pambrojtur’”, thotë Hood. Kjo bëhet përkundër sfidave politike me të cilat përballen edhe përpjekjet më të vogla për kontrollin e armëve në SHBA. Pavarësisht nga lista e gjatë dhe në rritje e sulmeve në masë, të drejtat për mbajtje të armës kurrë nuk janë kufizuar sa duhet në SHBA.
Sasi e madhe
Në vend se të jenë të rralla, armët janë kudo. Që prej 2000-s, vitit pas masakrës në shkollën Columbine të Colorados, numri i armëve të prodhuara në SHBA është trefishuar. Vlerësohet se janë diku 400 milionë armë në SHBA – më shumë se një për secilin banorë të SHBA-së – që bëhet shteti me shkallën më të lartë të posedimit të armëve në botë.
Prodhuesit e armëve dhe grupet industriale, si Asociacioni Kombëtar i Armëve, mbajnë njëfarë përgjegjësie për teoritë e konspiracionit se Qeveria federale do t’ua sekuestrojë armët.
“Cili është rregulli i parë për shitje? Të krijohet nevoja për artikullin. Mendojmë se armët janë diçka ndryshe – dhe janë të tilla sepse janë instrumente të dhunës – por janë mallra të shitura me shumicë”, thotë Braddock. “Po krijojnë iluzionin e nevojës për diçka”.
E kontaktuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, një faqe interneti që shiste komplete armësh është përgjigjur se “të gjitha pyetjet” në lidhje me rregullimin për armët përbëjnë “përpjekje të kota për t’i çarmatosur amerikanët tradicionalë dhe armatosjen e qeverisë kundër tyre dhe për t’i nënshtruar ata ndaj mjeteve më injorante të pushtetit federal”.
Teksa disa prej krijuesve të videove të trajnimeve taktike të postuara në platforma si “YouTube”, thonë se audienca e tyre është pro zbatimit të ligjit, ndërkaq të tjerët thonë se ndjekësit e këtyre kanaleve synojnë ta armatosin veten kundër qeverisë.
Përkundër alarmit të tyre, zyrtarët e rendit dhe ekspertët e ekstremizmit thonë se nuk mund të veprojnë mjaftueshëm kundër faqeve të internetit që u kushtohen armëve ushtarake, nëse nuk gjejnë prova të shitjeve të jashtëligjshme të armëve.
Nga ana e tyre, kompanitë dhe platformat sociale si “Facebook”-u dhe “Twitter”-i, thonë se kanë rregullat për t’i ndalur kërcënimet e dhunshme, gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtje të tjera të dëmshme. Disa platforma gjithashtu ndalojnë shitjen e armëve.
Edhe
“I dëgjoj para se t’i shoh”: Si po përhapin frikë dronët në Kolumbi?
Kufizimet e tjera në përmbajtjen për armët ose ekstremizmin do të jenë bumerang, thotë Amy Cooter, eksperte e milicive. Teksa përpjekjet për t’i ndalur përdoruesit mund të jenë të suksesshme për një afat të shkurtër, autoritetet do të dështojnë, sepse përdoruesit gjejnë platforma të tjera me pak kufizime.
“Nëse doni ta reduktoni madhësinë e lëvizjes, deplatformimi është efektiv”, thotë Cooter. “Por, nëse doni ta deradikalizoni, atëherë nuk bëhet kështu. Elementet më ekstreme do të gjejnë mënyra për të qëndruar në lidhje”.