Grupi militant palestinez, Hamas, ka thënë se anëtarët e ekipit negociator në bisedimet e paqes, i kanë shpëtuar sulmit izraelit në Doha të Katarit të martën.
"Ne konfirmojmë dështimin e armikut për të vrarë vëllezërit tanë në delegacionin negociator”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Hamasi, raporton BBC.
Grupi ka thënë se sulmi "konfirmon pa dyshim se Netanyahu dhe qeveria e tij nuk duan të arrijnë ndonjë marrëveshje" për paqe.
Në deklaratë thuhet se gjashtë të tjerë janë vrarë në sulm.
"Ne e mbajmë administratën amerikane bashkëpërgjegjëse me pushtimin për këtë krim, për shkak të mbështetjes së saj të vazhdueshme për agresionin dhe krimet e pushtimit kundër popullit tonë", shton deklarata.
Hamasi edhe më parë ka thënë se delegacioni i tyre negociator është shënjestruar gjatë takimit të tij në Doha.
