Eksploatimi seksual vazhdon të jetë qëllimi kryesor i trafikimit, kanë treguar të dhënat e Komisionit Evropian dhe brenda një viti të vetëm të ardhurat kriminale prej tij llogaritet se kapin vlerën prej 14 miliardë eurosh
Çdo vit me mijëra gra trafikohen nëpër qytetet evropiane dhe detyrohen që të punojnë në industrinë e seksit të udhëhequr nga burrat.
Jewel, një vajzë nigeriane që ëndërronte të punonte si kujdestare, ia doli të arratisej prej këtij rrjeti falë dy takimeve të rastësishme.
“Thjesht e pashë dritën. Shumicën e kohës është terr në vendin prej nga vij për shkak se nuk ka energji elektrike. Por gjithçka po vezullonte – ishte tepër e bukur”, tregon ajo në një rrëfim ekskluziv për BBC-në.
Jewel – emri i vërtetë i së cilës është ndryshe, porse nuk është treguar për shkak të sigurisë së saj – do të përshkruante arritjen në Danimarkë.
“Do të falënderoja Zotin për mundësinë që të isha në këtë vend. Po prisja që të nisja punën”, tregon ajo për transmetuesin britanik. Ajo ishte nisur me aeroplan nga Nigeria me premtimin se do të punonte si kujdestare e pleqve. Ka treguar se si njerëzve të trafikuar u kërkohej që të rrezikonin jetën duke përshkuar rrugë të vështira e ilegalisht nëpër Libi.
“Por udhëtimi im ishte aq i mirorganizuar saqë nuk ishte aspak i dyshimtë”, ka rrëfyer ajo.
Prej aeroplanit në distriktin e kuq
Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) ka treguar se tetëdhjetë për qind e grave nigeriane, që udhëtojnë jashtë vendit, duke këputur Mesdheun, trafikohen në tregtinë evropiane të seksit. Jewel njihte gra që kishin pasur të njëjtin fat pas udhëtimit të rrezikshëm.
Megjithëkëtë i ishin dhënë garanci para nisjes nga aeroporti i Lagosit. Ajo do të pritej në Kopenhagë nga një grua nigeriane, e cila do ta dërgonte atë në Vesterbro, sikur njihet distrikti i kuq i kryeqytetit danez.
“Po shihja se mos bëhej fjalë për ndonjë spital përreth”, kujton Jewel për BBC-në.
Gratë kishin shëtitur për njëfarë kohe. I ishte thënë që të mbante mend lagjen. Pastaj gruaja shoqëruese do ta plaste bombën: “Ky është vendi ku do të punosh”.
Jewel kishte hedhur shikimin rreth e qark që të shihte mos kishte ndonjë objekt që nuk i kishte rënë në sy.
“Por jo – ajo e kishte fjalën për vendin ku ecëm. Aty do të më thoshte se do të jesh prostitutë dhe ky do të ishte vendi ku do të kërkoja myshterinj. Pastaj krejt Danimarka më ra mbi kokë”.
Jewel do të takohej krejt rastësisht atë natë me një njeri që më vonë do ta kuptonte se ishte shumë e rëndësishme – Michelle Mildwater nga “HopeNow”, organizatë joqeveritare që ndihmon gratë e trafikuara në Danimarkë. Ajo e kishte parë se gruaja e re 20-vjeçare kishte halle dhe do t’ia jepte një kartelë me numrin kontaktues në të.
“Zonja” e tregtisë së seksit

Shefja nigeriane e Jewelit – “zonja” e saj – do t’i thoshte të mos i besonte gruas angleze me biçikletë. Pastaj menjëherë do t’ia gjente Jewelit myshteriun e parë.
“Burri m’i ofroi 620 dollarë që të më merrte në shtëpi dhe pastaj zonja ime thjesht u largua”, kujton ajo për BBC-në. “Ai i dha makinës aq gjatë sa më është dukur se ishte pafundësi. Nuk e flisja atëherë gjuhën daneze dhe nuk kisha ide çfarë po thoshte – na u desh të përdornim Google Translate për të komunikuar. Ishte e frikshme”.
Në muajt pasues shitja e seksit nuk do të bëhej e lehtë për Jewelin.
“Nuk isha fare e mirë. Isha ajo e turpshmja në qoshe të distriktit. Por gjithnjë më gjenin, sepse myshterinjtë e rregullt e dinin se një person i ri ka ardhur dhe ata donin një person të ri”.
BBC-ja shkruan se sipas të dhënave të fundit të Bashkimit Evropian më shumë se 14 mijë viktima të trafikuara u regjistruan gjatë viteve 2017/2018 – por kjo do të jetë Maja e Ajsbergut, sepse paraqesin vetëm rastet e identifikuara. Gjysma prej tyre vinin nga jashtë BE-së, me Nigerinë në krye të pesë vendeve prej nga trafikohen gra për prostitucion.
Eksploatimi seksual vazhdon të jetë qëllimi kryesor i trafikimit, kanë treguar të dhënat e Komisionit Evropian dhe brenda një viti të vetëm të ardhurat kriminale prej tij llogaritet se kapin vlerën prej 14 miliardë eurosh.
Pengje të borxheve
Gratë që i fitojnë këto para detyrohen t’ua japin shumat e majme trafikuesve për nevoja udhëtimi dhe akomodimi.
Sine Plambech, hulumtuese e lartë në Departamentin për Migrim në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare, ka thënë se gratë janë pengje të borxheve.
“Nigerianet janë një prej grupeve të punëtoreve emigrante të seksit me borxhin më të lartë. Mund të sillet ndërmjet dhjetë mijë dhe gjashtëdhjetë mijë euro. Dhe kur keni këtë shumë borxhi duhet të fitoni shumë para shpejt. Dhe nëse nuk i keni dokumentet që ju lejojnë të punoni, mënyra më e shpejtë për të fituar paratë është nëpërmjet industrisë së seksit”, ka thënë Plambech për BBC-në.
Trafikuesit e Jewelit kanë thënë se ajo duhet t’i paguajë 42 mijë euro me këste të rregullta. Për ta spikatur rëndësinë e respektimit të marrëveshjes, takimin një ditë para fluturimit nga Nigeria do ta realizonin në varreza.
“Më detyruan të betohem se do të paguaja paratë me çdo kusht dhe se nuk do ta zbuloja se kush më kishte trafikuar. Po ta çelja gojën, gjërat të tmerrshme do të më prisnin mua dhe familjen time”.
Dimrit në akull
Familjes së saj i ishte lëshuar zullumi nga trafikuesit në Nigeri me të arritur ajo në Danimarkë. Gjyshi dhe anëtarët e tjerë të familjes ishin kërcënuar nëse Jewel nuk do të respektonte marrëveshjen. Kështu ajo ishte nën presion të madh që të bënte sa më shumë myshterinj, duke u ofruar shërbime në makinat e tyre në Vesterbro, apo edhe në shtëpinë e tyre.
“Ju nuk mund të thoni jo, sepse rreth e qark janë edhe 10 ose 15 vajza të tjera që ia ngulin sytë të njëjtit burrë, që të fitojnë pak para”. Por shkuarja në shtëpi të myshterinjve ka edhe rrezikun e madh. Një ditë ishte ngujuar në banjën e një burri. Ende ndihet e traumatizuar.
“Burri doli dhe u kthye me dy qese të mëdha me akull, duke i hedhur në guacë. Desh u ngriva, edhe ashtu ishte dimër”, kujton ajo.
Danimarka i dëbon viktimat e trafikimit seksual nëse janë emigrante ilegale. Pas katër muajsh në rrugë dhe e mërzitur nga jeta, Jewel hezitonte të raportonte në polici. Ende kishte një hise të madhe të borxhit pa shlyer dhe druante se familja do ta pësonte në Nigeri.
Si në përralla
Pastaj ndryshoi jeta e saj. Duket e jashtëzakonshme – madje si në përralla – por Jewel u takua me një burrë danez dhe ra në dashuri. Në takimin e parë, pas një dreke romantike, do t’i rrëfente atij gjithçka. “Është një barrë që duhet ta bartë ai”, thekson Jewel për BBC-në , teksa flet për burrin që do të bëhej burri i saj. Ajo më nuk do të punonte në industrinë e seksit dhe burri do ta ndihmonte të shlyente këstet e përjavshme. Çiftit të ri megjithatë i duheshin këshilla. Jewel kishte ruajtur kartën e kontaktit të Mildwaterit në natën e saj të punës në distriktin e kuq në Vesterbro.
Ajo më nuk e pagoi as “zonjën”. Por edhe nuk pati pasoja për familjen e saj në Nigeri. Duket se trafikuesit nuk ishin pjesë e ndonjë rrjeti të madh kriminal.
Jewel tani po pret rezultatin e aplikimit të saj për të qëndruar në Danimarkë. Njëherësh, danishtja e saj është avancuar dhe ka një fëmijë. Jewel dhe Michelle janë bërë mikesha të ngushta. Nigeriania është martuar.
“Është një prej momenteve më krenare të jetës sime – diçka që më nxori nga bataku dhe merita më e madhe i shkon Michellet”, thekson Jewel.
Ajo shpreson se një ditë do të ndjekë shkollën e biznesit. Njashtu dëshiron të ndihmojë gratë e tjera në rrugë që kanë ngecur në tregtinë e seksit.
Madje Michelle e ka inkurajuar që të performonte një dramë, të bazuar në historinë e saj të vërtetë. Ajo doli para audiencës në Kopenhagë duke e titulluar “Shtegdalja e vetme”.
“Ishte terapi. Derisa po e realizoja dramë ndihesha sikur isha pjesë e audiencës dhe u preka shumë prej asaj çfarë pashë”, thekson Jewel. “Sepse kjo nuk është thjesht një histori – është realitet i njerëzve”. \ Rrëfim i BBC-së
Përktheu: Rexhep Maloku