Botë

Një udhëtim drejt përkatësisë, emigrantët përshkruajnë jetën në Evropë

evropa

Dhjetë vjet pas valës së madhe të migracionit drejt Evropës, katër emigrantë tregojnë historitë e tyre të dhimbshme, të mbushura me sakrifica, shpresë dhe mall për atdheun. Nga Nigeria në Itali, Siria dhe Afganistani në Gjermani e deri në Gazën e shkatërruar, rrugëtimi i tyre ka qenë i gjatë dhe i vështirë. Ata kanë gjetur siguri dhe mundësi, por jo gjithmonë ndjesinë e përkatësisë. Evropa ua ka ndryshuar jetën...

(Reuters) - Dhjetë vjet më parë, një milion emigrantë vërshuan në Evropë, duke u larguar nga konflikti dhe varfëria.

Shumë prej tyre kanë udhëtuar për vite të tëra në kërkim të paqes, prosperitetit ose stabilitetit dhe këto i gjetën në vende të tilla si Italia, Gjermania e Belgjika.

Por, rrugëtimi drejt përkatësisë së vërtetë vazhdon. Një dekadë më vonë, pasi kanë marrë azil, kanë gjetur punë dhe kanë mësuar gjuhë të reja, katër emigrantë që folën për agjencinë “Reuters” ndihen ende bosh përbrenda.

Ata ende ndiejnë mall për vendlindjen dhe përballen me mundësinë ose pamundësinë e kthimit. Kujtojnë pyjet e veriut të Nigerisë, një lumë që kalon përmes një qyteti në Siri, por edhe makthin e abuzimit ndaj fëmijëve në Afganistan. Ndërkohë, prania e tyre ka ndryshuar komunitetet në të gjithë kontinentin. Ata janë tashmë pjesë e një Evrope të re, të transformuar.

Kur Naziru Usman Abubakar iku nga qyteti Maidugur në veri të Nigerisë në vitin 2014 pas dhunës nga militantët e Boko Haramit, ai mori me vete dëftesën e shkollës. Të sigurojë një arsim të lartë ishte jetike për të dhe donte provën që kishte ndjekur shkollën.

Dokumenti u lag ndërsa udhëtonte me një barkë të mbipopulluar emigrantësh nga Libia drejt Italisë në prill të vitit 2016 dhe ende mbante njollën e ujit kur e përdori për të aplikuar për një bursë në Universitetin e Torinos disa vjet më vonë.

“Ajo njollë uji është shumë domethënëse. Sa herë e shoh, më rikthehet historia. Më kujton udhëtimin”, tha ai.

Shtëpia e tij e parë në Evropë ishte një qendër pritjeje për emigrantët në Torino, ku, pa ditur asnjë fjalë italisht, universiteti dukej i pamundur.

Ai u vendos më pas në banesë, filloi të mësonte gjuhën, punoi si hidraulik dhe si pastrues enësh në një restorant. Por, pasi paguante qiranë dhe faturat, mbetej pa para dhe ndihej i vetmuar.

I mungonte Nigeria, ku dikur garonte me biçikletë me miqtë për të shkuar në shkollë dhe kërkonte ajrin e freskët të pyjeve në ditët e nxehta.

I mungonte nëna e tij, e cila gjithmonë e kishte inkurajuar në mësime.

“Mendova se jeta ime ishte e humbur”

Por, gjërat ndryshuan me kalimin e kohës. Ai pa një reklamë online për bursa studimi dhe fitoi një bursë për të studiuar drejtësi në Universitetin e Torinos. Ai u diplomua në vitin 2024.

Evropa i kishte ofruar mundësi, por nuk kishte qenë e lehtë. Ai përshkroi incidente të përsëritura të racizmit, duke përfshirë një rast ditën e parë në Universitet kur u ndalua nga sigurimi dhe iu kërkua të shpjegonte pse po hynte në kampus.

Sot Abubakari punon në një qendër për imigrantë, duke ndihmuar të tjerët me aplikimet për azil. Ai shpreson të aplikojë për shtetësi italiane në vitin 2026.

“Kam pasur mundësinë të ndjek shkollën dhe disa mundësi më janë dhënë. Mund të them se Italia më ka trajtuar mirë”, thotë ai.

Por, për imigrantët e tjerë, shton ai, Italia mund të jetë një nga vendet më të vështira për të jetuar.

Kur Ehab Mzeal dhe bashkëshortja e tij, Aber Alabed, mbërritën në Gjermani në vitin 2015, ndjenë një lehtësim të madh. Udhëtimi i tyre nga Deir el-Zor në Siri, ku ishin të kërcënuar si nga Shteti Islamik ashtu edhe nga forcat qeveritare, përmes Turqisë dhe Ballkanit, kishte zgjatur për muaj të tërë. Ata vuajtën nga uria ekstreme dhe rreziku i vazhdueshëm i sulmeve.

Dhe pastaj, paqe.

“Mendova se Evropa ishte parajsë...”

Por ajo ëndërr shpejt u zbeh. Të përshtatesh me një gjuhë dhe kulturë të re, pa miq, ishte shumë e vështirë. Mzeal, 41 vjeç, ish-punonjës shtetëror, ra në depresion, por donte të integrohej për hir të fëmijëve të tij: Yasmeen, 16 vjeçe, dhe Haneen, 13 vjeçe.

Ajo që e ndihmoi të kapërcente depresionin ishte lindja e vajzës së tretë, Seleen, tani tetë vjeçe. Më pas lindi edhe një djalë, Yussef, tani dyvjeçar.

Dhjetë vjet më vonë familja jeton në qytetin verior gjerman të Luebeckut. Ai punon si infermier në një shtëpi kujdesi për të moshuar.

Jeta është e thjeshtë. Të ndajnë vaktet së bashku është një lloj strehimi shpirtëror për ta. Mzeal është mirënjohës për strehimin që Gjermania i ofroi familjes së tij, është gjithçka që fëmijët e tij njohin.

“Më pëlqen Gjermania për një arsye: qëndroi pranë nesh”, tha ai.

Ai kurrë nuk e ka harruar vendin e tij, por thotë se nuk mund të kthehet, edhe pse ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka ikur. Ai ende nuk ka shtetësi gjermane, gjë që e pengon ta vizitojë Sirinë dhe ka frikë nga dëbimi.

“Jetojmë në një tornado, pa mundësi ta vizitojmë vendin tonë apo të vendosemi me të vërtetë këtu”, thotë ai.

Midis dy botëve, ai mbetet me imazhet: njerëzit, toka, pemët e atdheut.

Një kanal që kalon nëpër Luebeckut ia kujton një lumë në Deir el-Zor. Ai kalon mbi të çdo ditë me makinë.

“Zemra dhe shpirti im janë në Deir el-Zor. Asnjë para, shtëpi apo luks në botë nuk mund ta zëvendësojnë atë që kam humbur atje”, tha ai.

Kanë kaluar gati dhjetë vjet qëkur Nadia Feyzi mbërriti në Gjermani dhe ende, refugjatja afgane 32-vjeçare, ndodhet në tranzit. Jeton në makinën e saj dhe nuk ka leje të vlefshme qëndrimi në vendin e ri.

Ajo mbërriti në Gjermani në vitin 2016 me vajzën e saj atëherë tetëvjeçare. Ajo kishte ikur nga Afganistani në vitin 2001, pasi ishte detyruar të martohej në moshën 11-vjeçare dhe kishte lindur në moshën 14-vjeçare. Ikja kaloi nëpërmjet Iranit dhe Turqisë.

Autoritetet gjermane nuk i dhanë status të plotë refugjati. Në vend të kësaj, ajo mori një leje mbrojtjeje të përkohshme që duhet të rishikohet çdo vit.

Fillimisht gjërat shkuan mirë. Feyzi studioi për dizajn në Koln. Ajo punoi edhe si asistente regjie në teatër.

Megjithatë, disa muaj më vonë, autoritetet e mirëqenies së fëmijëve ia hoqën kujdestarinë për vajzën për shkak të kushteve të banimit dhe vajza qëndroi nën kujdesin e shtetit. Sot ato shihen me njëra-tjetrën, por nuk jetojnë bashkë.

Vitin e kaluar aplikimi i Feyzit për rishikim nuk mori përgjigje, duke e lënë atë pa leje pune dhe pa ndihmë nga shteti. Një zëdhënës i qytetit të Kolnit nuk pranoi të komentonte në detaje për rastin e saj, por tha se leja mund të rikthehet nëse aplikimi plotësohet siç duhet.

“Kam luftuar shumë që të jem këtu”

Feyzi aplikoi për më shumë se 180 vende pune gjatë vitit të kaluar, por nuk mori asnjë. Ajo endet mes shtëpive të miqve, vëllezërve e motrave dhe partnerit të saj në qytetin e Bonit. Mbështetet tek Volkswageni i saj i argjendtë – i dashur për të – që është edhe shtëpia e saj kryesore, e mbushur me gjithçka që zotëron: rroba, kapele, këpucë, gota, dokumente dhe çantën e saj të besuar të grimit.

Feyzi përpiqet të qëndrojë e fortë, por sytë i mbushen me lot sa herë kujton të kaluarën. Ajo është duke shkruar një libër, i frymëzuar nga jeta e grave afgane brez pas brezi.

Jeton me disa kursime dhe punë të vogla si fotografe e pavarur. Me gjithë vështirësitë që ka kaluar, Feyzi thotë se është “plotësisht e lumtur.”

Ajo shpreson që çështja e qëndrimit të saj të zgjidhet.

Palestinezi Youssef Hammad, 35 vjeç, ka lindur në Jemen, por është zhvendosur në Gaza kur ishte pesëvjeçar. Ai u largua nga Gazë në dhjetor të vitit 2014, pak pasi Izraeli përfundoi një operacion ushtarak atje.

Në Gazë, pasi mori diplomën në vitin 2012, punoi si gazetar dhe përkthyes. Por, i lodhur nga lufta dhe në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, vendosi të largohej.

Fillimisht shkoi në Egjipt, më pas në Turqi, prej nga u përpoq të arrinte në Greqi me varkë.

Nga qyteti turk i Izmirit, ai tentoi të kalonte gjashtë herë brenda 20 ditësh, por u ndalua çdoherë nga roja bregdetare. Në përpjekjen e shtatë, motori i varkës u prish në ujërat ndërkombëtare dhe një organizatë shpëtimi e dërgoi në ishullin grek Lesbos.

“Nuk kisha frikë; e shihja më shumë si aventurë. Realiteti politik dhe ekonomik në Gazë na kishte bërë pa frikë... Edhe po të vdisja, do të vdisja duke u përpjekur për të realizuar një pjesë të ëndrrës sime – kështu që ishte në rregull”,  kujton ai.

Kur mbërriti në Greqi në vitin 2016, u ndalua në një qendër për emigrantë. Ai kishte me vete një telefon, disa para dhe kartën e identitetit palestinez, e cila e ndihmoi të merrte një lejeqëndrim për gjashtë muaj.

“Ndiej se pjesërisht i përkas këtij vendi, pas gati një dekade,” thotë ai.

Më pas u zhvendos në Athinë. Fillimisht planifikonte të studionte në Universitetin e Dublinit, por plani dështoi kur tentoi të udhëtonte me një pasaportë britanike të siguruar nga një kontrabandist sirian – u kap në Aeroportin e Athinës. Ai më pas pagoi 2,500 euro për një pasaportë franceze false, me të cilën arriti të hynte në Francë.

Në vitin 2016, Hammad shkoi në kryeqytetin belg, Bruksel, ku jetonte vëllai i tij i madh. Aty aplikoi për azil, bëri punë vullnetare dhe mësoi gjuhën flamande.

Pas 18 muajsh mori lejeqëndrim. Në shkurt të vitit 2018, u vendos në qytetin Torhout.

Gjatë këtyre viteve, ai kishte mbetur i dashuruar me një vajzë palestineze, Minas, të cilën e kishte njohur në Gazë. I kërkoi familjes së tij që të shkonte te familja e saj dhe të kërkonte dorën e saj. Ata pranuan.

Ai u përpoq pa sukses ta sillte në Belgjikë përmes bashkimit familjar. Më pas i kërkoi një shoku në Francë t’i dërgonte një ftesë, gjë që i mundësoi asaj të aplikonte për vizë. Ajo mbërriti në Belgjikë në fund të vitit 2018, aplikoi për azil dhe mori lejeqëndrim.

Sot, Hammad punon si mbikëqyrës në një fabrikë tekstilesh, por gjithashtu punon si kamerier gjatë fundjavave dhe përkthen në komisariate dhe qendra për imigrantë.

Gruaja e tij punon si kontabiliste dhe së bashku kanë një vajzë pesëvjeçare, Ellia.

“Ndiej se pjesërisht i përkas këtij vendi, pas gati një dekade”, përsërit ai.

Ai është ambicioz. Kandidoi në zgjedhjet lokale dhe doli i treti. Ëndërron ende të vazhdojë studimet dhe të bëhet akademik.

Por, gjithashtu ëndërron ta vizitojë Gazën për të parë familjen. Ata jetojnë në kushte të tmerrshme. Gjyshja e tij, 98 vjeç, vdiq ndërsa familja e tij po ikte nga bombardimet. Kushëriri i tij u vra, një nip u plagos dhe shtëpia e tij u shkatërrua.

“Gaza, për mua, është atdheu që nuk e dëshiroj, por që mbetet atdheu im...Ne jetojmë këtu, por