Numri i të vdekurve nga shtypja e protestave kundër qeverisë në Iran tani dyshohet se është në mijëra, sipas korrespondentit të BBC Persian, Jiyar Gol, dhe një burimi që ka folur për agjencinë e lajmeve Reuters.
Gol ka deklaruar se mund të “thotë me bindje se numri i personave të vrarë duhet të jetë në mijëra”, duke shtuar se edhe pse qeveria ka përdorur forcë edhe më parë, “këtë herë është absolutisht e paprecedentë”.
Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar gjithashtu se një zyrtar iranian i sigurisë ka thënë se numri i viktimave mund të jetë rreth 2,000 persona. Burimi ka thënë se ky vlerësim përfshin si personelin e sigurisë ashtu edhe civilët, teksa ka fajësuar “terroristët” për vdekjet.
Kjo vjen ndërkohë që zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Jeremy Laurence, ka thënë gjatë një konference në Gjenevë se “raportet tregojnë se qindra persona janë vrarë dhe mijëra janë arrestuar”.
Ky vlerësim bazohet në burimet e vetë OKB-së në terren, ka thënë Laurence.
“Këto janë burime të besueshme”, ka deklaruar Laurence.
Përditësimi vjen pasi një grup për të drejtat e njeriut ka thënë të hënën se beson se gati 650 protestues janë vrarë dhe mijëra janë plagosur.
Faktorë të ndryshëm e bëjnë të vështirë përcaktimin e numrit të saktë të personave që kanë humbur jetën gjatë protestave në Iran. Vendi kufizon veprimtarinë e organizatave ndërkombëtare të lajmeve dhe ka pasur një ndërprerje të internetit gjatë pesë ditëve të fundit.