Kremlini ka thënë të enjten se nuk dëshiron të humbasë kohë duke iu përgjigjur pyetjeve mbi sugjerime të pabazuara në mediat perëndimore dhe nga kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, se i akuzuari për trafikim seksual, Jeffrey Epstein, mund të ketë qenë një lloj aseti i inteligjencës ruse.
Kryeministri Tusk ka thënë të martën se Varshava zyrtare do të nisë një hetim për atë që e quajti lidhje të mundshme mes Epsteinit dhe shërbimeve të inteligjencës ruse, si edhe për çdo ndikim të mundshëm në Poloni.
Tusku nuk ka ofruar prova për pretendimet e tij, megjithëse mediat perëndimore kanë ngritur ditët e fundit pikëpyetje nëse Epsteini ishte apo jo një agjent rus që mblidhte materiale komprometuese për njerëz të pasur dhe të fuqishëm.
I pyetur nga Reuters për deklaratat e Tuskut dhe raportimet e mediave perëndimore, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se “Do të doja të bëja shaka me versione të tilla, por le të mos humbasim kohë”.
Zyrtarët rusë thonë se pretendimet për një lidhje mes Epsteinit dhe inteligjencës ruse po bëhen qëllimisht në hapësirën publike për të shpërqendruar vëmendjen nga një skandal që, sipas tyre, ka zbuluar hipokrizinë e burrave të fuqishëm në të gjithë SHBA-në dhe Evropën.
Në dosjet për Epsteinin të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Rusia përmendet mijëra herë.
Ato tregojnë gjithashtu se disa nga gratë e reja me të cilat Epsteini kishte kontakt ishin nga Rusia, përfshirë një grua 26-vjeçare që ai kërkonte t’ia prezantonte Andreë Mountbatten-Ëindsor, vëllait më të vogël të Mbretit Charles të Britanisë.
Organizata të ndryshme mediatike dhe blogerë kanë spekuluar gjithashtu se Epsteini po spiunonte për shërbimin e inteligjencës së jashtme të Izraelit, Mossad, ose për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA).
Deri më tani, asnjë organizatë e madhe mediatike nuk ka publikuar prova përfundimtare se ai ka punuar për ndonjë shërbim inteligjence.
Epstein është gjetur i vdekur në burg më 10 gusht të vitit 2019, teksa priste nisjen e procesit gjyqësor për akuzat për trafikim seksual.