Dy burra janë dënuar së bashku me mbi gjashtë vjet burgim për vjedhjen spektakolare të një tualeti funksional prej 18 karatësh ari të pastër, me vlerë 5 milionë euro, nga një ekspozitë arti në Blenheim Palace, në shtator të vitit 2019, shkruan BBC.
Vjedhja ndodhi pak orë pas një mbrëmjeje të organizuar në rezidencën aristokratike në Oxfordshire, ku hajdutët thyen derën dhe e shqyen tualetin nga vendi i tij në banjo.
James “Jimmy” Sheen, 40 vjeç, kriminel i njohur nga Oxfordi, pranoi fajësinë për vjedhje, transferim të pasurisë kriminale dhe konspiracion për të kryer të njëjtën vepër. Ai u dënua me katër vjet burgim. Ndërkohë, Michael Jones, 39 vjeç, u shpall fajtor për vjedhje në muajin mars dhe u dënua me dy vjet e tre muaj burgim.
Sipas autoriteteve, Sheen ishte figurë kyçe në grabitje, jo vetëm si ekzekutor, por edhe si personi që u përpoq ta shiste arin e grabitur. Policët gjetën gjurmë të ADN-së së tij në vendin e krimit, si dhe grimca ari në rrobat që ai kishte veshur. Gjithashtu, në telefonin e tij u gjetën mesazhe inkriminuese, që u përdorën si dëshmi kyçe gjatë procesit gjyqësor.
Shan Saunders, prokurore e lartë e çështjes, ka thënë se ishte “e pazakontë që një telefon të përmbajë kaq shumë informacione inkriminuese”.
Gjatë gjyqit, juria dëgjoi mesazhe zanore që Sheen i kishte dërguar Fred Doe, një biznesmen nga Berkshire, i dënuar më herët për konspiracion për shitjen e arit.
Mesazhet ishin të koduara gjë që e bën përkthimin e tyre kompleks.
Në njërin nga mesazhet, Sheen nënkuptonte se ishte në posedim të një pjese të tualetit të artë: “Mendoj se e di çfarë kam... Thjesht kam qenë pak i qetë me të”.
Ai përdorte fjalën “makinë” si kod për arin.
“Makina është ajo që është, apo jo? Makina është po aq e mirë sa paratë”, thotë ai.
Policia britanike nuk ka mundur të kthejë të gjithë pjesët e tualetit, pasi besohet se është shkrirë dhe shitur pjesë-pjesë në tregun e zi. Vepra e artit kishte qenë e ekspozuar si pjesë e një instalacioni në Blenheim Palace dhe kishte tërhequr vëmendje ndërkombëtare për shkak të vlerës dhe simbolikës së saj.