Një dron rus goditi një ndërtesë banimi shumëkatëshe në kryeqytetin ukrainas Kiev të premten në mbrëmje, duke shkaktuar zjarr në katet e fundit. Si pasojë e sulmit zyrtarët raportuan për një të vdekur dhe pesë të lënduar.
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, tha se më shumë se 100 banorë u evakuuan nga ndërtesa e lartë në rrethin Solomyanskyi, në perëndim të qendrës së qytetit, raporton Reuters.
“Apartamente nga kati i 17-të deri në katin e 21-të u dëmtuan në ndërtesën e apartamenteve në lagjen Solomyanskyi. Apartamentet në katin e 20-të kanë marrë flakë”, shkroi Popko në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se një vajzë adoleshente kishte vdekur. Një nga pesë të lënduarit po trajtohet në spital dhe në vendngjarje u ngrit një tendë e ndihmës së parë.
Shërbimet e urgjencës thanë se zjarri ishte vënë nën kontroll. Popko tha gjithashtu se pjesë të dronëve kishin rënë në një hapësirë të hapur në rrethin qendror Shevchenkivskyi.