Botë

Dronët mbyllin aeroportet kryesore në Danimarkë e Norvegji, s’përjashtohet të jenë rusë

Aeroporti i Danimarkes

Danimarka dhe Norvegjia janë detyruar të mbyllin aeroportet kryesore të hënën për disa orë në mbrëmje, për shkak të disa dronëve që janë parë.

Policia e Danimarkës nuk ka arritur të konfirmojë tipin apo numrin e dronëve që ka parë përreth Aeroportit të Kopenhagës, por u ka thënë gazetarëve të martën në mëngjes se “me gjasë operoheshin nga një operator që donte të tregonte veten”. Policia ka konfirmuar se forcat e armatosura janë aktivizuar për t’u përgjigjur, por nuk ka dhënë sinjale se mund të kenë pasur qëllim të dëmtimit.

E kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, të martën ka refuzuar ta përjashtojë mundësinë e përfshirjes ruse.

“Nuk mund ta përjashtoj se mund të jetë Rusia. Kemi parë dronë mbi Poloni që s’është dashur të jenë aty. Kemi parë aktivitet në Rumani. Kemi parë shkelje të hapësirës ajrore të Estonisë. Kemi parë sulm kibernetik në aeroportet evropiane gjatë fundjavës. Tani kemi dronë në Danimarkë dhe duket edhe në Oslo. Prandaj, mund të them, në pikëpamjen time, se ky është sulm serioz mbi infrastrukturën kritike daneze”, ka thënë ajo.

Fluturimet në Kopenhagë u rikthyen pas mesnatës, ndërsa fluturimet ishin pezulluar për katër orë. Edhe aeroporti i Oslos u rihap katër orë pas mbylljes së hapësirës ajrore.