Botë

Danimarka mbyll një aeroport tjetër për shkak të dronëve në hapësirën e saj ajrore

Aeroporti

Foto: Associated Press

Aeroporti i Aalborgut në Danimarkë është mbyllur për shkak të dronëve në hapësirën e tij ajrore, ka njoftuar policia lokale herët të enjten, dy ditë pasi aeroporti kryesor i vendit në Kopenhagë u mbyll për shkak të pamjeve të dronëve që tronditën aviacionin evropian.

Policia kombëtare daneze ka thënë se dronët ishin të ngjashëm me ata që kishin ndaluar fluturimet në aeroportin e Kopenhagës për katër orë disa ditë më parë. Forcat e armatosura të vendit u prekën gjithashtu, pasi aeroporti i Aalborgut përdoret si bazë ushtarake, ka shtuar policia, raporton The Guardian.

Danimarka ka njoftuar të martën se incidenti në aeroportin e Kopenhagës ishte sulmi më serioz deri më tani në infrastrukturën e saj kritike dhe e lidhi atë me një seri inkursionesh të dyshuara të dronëve rusë dhe ndërprerje të tjera në të gjithë Evropën.

Autoritetet në Norvegji gjithashtu mbyllën hapësirën ajrore në aeroportin e Oslos për tre orë të hënën në mbrëmje pasi u pa një dron.

Autoritetet norvegjeze dhe daneze janë në kontakt të ngushtë lidhur me incidentet e Kopenhagës dhe Oslos të hënën, por hetimi i tyre ende nuk ka krijuar një lidhje, ka deklaruar të mërkurën ministri i Jashtëm i Norvegjisë.

S’ka evidencë të përfshirjes së Rusisë në inkursionin me dronë, thotë ministri danez i Mbrojtjes

25 min. më parë / 25 sht 2025 09:33
Troels Lund Poulsen

Photo: Associated Press

Ministri i Brendshëm i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, ka bërë thirrje të enjten që Evropa të forcojë gatishmërinë e saj për dronë në të gjithë kontinentin.

Në një konferencë për media të enjten, për të dhënë përditësime lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore të vendit, si pasojë e së cilës vendi ka mbyllur disa aeroporte, përfshirë një ushtarak, Poulsen ka thënë se është thirrur një takim për të premten në nivel BE-je për të diskutuar se si të përmirësohet dhe forcohet gatishmëria për dronë në të gjithë kontinentin.

I pyetur nga gazetarët, Poulsen ka thënë po ashtu se nuk ka evidencë se Rusia qëndron prapa inkursionit me dronë, ndonëse siç ka thënë veprimi ishte profesional.

Ndërkaq, i pyetur se përse dronët nuk janë rrëzuar, ministri i Mbrojtjes, Michael Hyldgaard ka thënë se kjo është bërë për shkak të sigurisë së popullatës.  

Danimarka rihap aeroportet

34 min. më parë / 25 sht 2025 09:24
Kopenhage

Aeroportet në Danimarkën perëndimore janë rihapur herët të enjten pasi u mbyllën për orë të tëra kur dronë të paidentifikuar fluturuan në hapësirën e tyre ajrore gjatë natës, incidenti i dytë i tillë i sigurisë në vendin nordik këtë javë.

Aeroporti i Billund, i dyti më i madh në Danimarkë, u mbyll për një orë, dhe Aalborg, i përdorur për fluturime tregtare dhe ushtarake, u mbyll për tre orë për shkak të ndërhyrjeve me dronë vonë të mërkurën, ka thënë policia daneze, raporton Reuters.

Dronët ishin vërejtur gjithashtu pranë aeroporteve në Esbjerg dhe Sonderborg, si dhe bazës ajrore Skrydstrup, ku ndodhen disa nga avionët luftarakë F-16 dhe F-35 të Danimarkës. Të pesë ndodhen në gadishullin Jutland në Danimarkën perëndimore.

Policia kombëtare daneze ka thënë se dronët ishin të ngjashëm me ata që kishin ndaluar fluturimet në aeroportin e Kopenhagës vonë të hënën dhe herët të martën.

Policia e ka përshkruar rastin si "sulmin" më serioz deri më tani ndaj infrastrukturës së saj kritike dhe e ka lidhur atë me një seri të dyshuar ndërhyrjesh me dronë rusë dhe ndërprerje të tjera në të gjithë Evropën, pa dhënë prova.

Ambasadori i Rusisë në Danimarkë, Vladimir Barbin, ka mohuar çdo përfshirje të vendit të tij në incidentin e Kopenhagës.