Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Draghi, Scholz a Macron? Garë për kurorën e Merkelit në krye të Evropës

Tani që epokës së Merkelit po i afron fundi, një tjetër lider evropian mund të shfaqet dhe ta marrë drejtimin. E përditshmja britanike “Guardian” ka listuar kandidatët e mundshëm që do të mund ta marrin kurorën e Merkelit si i pari i Evropës

Ajo e dominoi Evropën si një de facto lidere në kohë krizash të zorshme. Për 16 vjet radhazi, Angela Merkeli ka përdorur pragmatizmin e saj të qetë dhe të matur për ta drejtuar Kontinentin në kohën e ngritjes së të djathtës ekstreme, përgjigjes së kritikuar karshi mbërritjes së emigrantëve dhe, natyrisht, Brexit-it.

Tani që epokës së Merkelit po i afron fundi, një tjetër lider evropian mund të shfaqet dhe ta marrë drejtimin. E përditshmja britanike “Guardian” ka listuar kandidatët e mundshëm që do të mund ta marrin kurorën e Merkelit si i pari i Evropës.

Mario Draghi i Italisë

Një prej mbështetjeve më të vendosura për lidershipin e Mario Draghit në Kontinent ka ardhur nga kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, gjatë vizitës së tij në Romë muajin qershor.

Duke e përshkruar ish-shefin e Bankës Qendrore Evropiane si një “maestro”, Sanchezi asokohe kishte thënë: “Sa herë që Draghi flet para Këshillit Evropian, ne të gjithë ngelemi të heshtur dhe e dëgjojmë. Kjo nuk është diçka që ndodh shpesh”.

Edhe Kolumne 9 muaj më parë Sfida e “Super Marios”

Draghi, i emëruar si kryeministër i Italisë në muajin shkurt, ka pasur ndikim të ngjashëm edhe mbi partitë e fragmentuara politike që e përbëjnë koalicionin e tij të gjerë qeverisës, ka kujtuar “Guardian”, duke spikatur se secila prej këtyre subjekteve politike është e ndarë në dysh për një mori çështjesh problematike, përfshirë edhe atë të pasaportave të vaksinimit për COVID-19.

“Ai njashtu ka mahnitur elektoratin, duke ia dalë që të bëhet lideri më i vlerësuar i Italisë. Kjo është larg prej asaj me të cilën popullata është mësuar”, ka analizuar gazeta britanike.

Qeveria e Draghit ka shpëtuar programin vendor të vaksinimit, ka ringjallur ekonominë dhe ka zbatuar masa të efektshme për frenimin e rasteve të infektimit me koronavirus. Mbi të gjitha, gazeta kujton se Draghi ia ka dalë që ta çojë përpara edhe reformën e kontestuar në sistemin e drejtësisë, një kërkesë kjo adresuar Italisë për ta siguruar “hisenë e luanit” në fondin e Bashkimit Evropian për rimëkëmbje nga pandemia.

“Gjërat duhet të kryhen ngase duhet të kryhen e jo për të pasur rezultat të menjëhershëm, edhe po qe se janë jopopullore”, kishte thënë Draghi fillimshtatorin e shkuar.

Gazeta e ka cilësuar politikanin italian si pragmatik, të qetë, të vendosur dhe që nuk druan t’i thotë gjërat ashtu siç janë. Për ata që e njohin dhe janë të afërt me ta, Draghi, i cili gëzon respekt edhe jashtë po aq sa edhe brenda vendit të tij, është personi më i besueshëm për ta zëvendësuar Merkelin në rolin e de facto liderit të Evropës.

“E kemi figurën më të shquar, dhe ai është Draghi”, ka thënë më herët Giancarlo Giorgetti, ministër italian për Zhvillim Ekonomik.

Olaf Scholzi i Gjermanisë

Çështjet politike evropiane nuk kanë pasur pothuajse fare rol në fushatën zgjedhore të Gjermanisë. Kjo gjë, sipas “Guardianit”, mbase ka të bëjë me faktin se përkundër dallimeve në politika midis partive që janë vendimtare për krijimin e Qeverisë së pas-Merkelit, akëcila prej tyre e sheh Evropën në pak a shumë të njëjtën trajtë: Gjermania ka nevojë për BE-në pothuajse më shumë sesa që BE-ja ka nevojë për Gjermaninë. Emëruesi i përbashkët është që të garantohet se ajo nuk do të dështojë, ka shkruar gazeta.

Po qe se Scholzi ia del që ta formojë me sukses një Qeveri të koalicionit dhe të bëhet kancelar, jo shumëçka pritet që të ndryshojë.

Roli i tij si ministër i Financave nën Merkelin – në atë që e bëri atë përgjegjës për ta mbajtur gjallë ekonominë – dhe kontributi i tij qendror në caktimin e fondit 750 miliardë eurosh të BE-së për rimëkëmbje nga koronavirusi, kanë fuqizuar përkushtimin e Scholzit kundruall bllokut sikurse edhe kredencialet e tij si një ujdibërës strategjik, megjithëse jo drithërues.

Edhe Kolumne 1 v. më parë Sytë nga Gjermania

Ai e quajti fondin si “një sinjal të qartë të solidaritetit dhe fuqisë evropiane”, teksa në të njëjtën kohë i përçoi një mesazh audiencës së brendshme se një rimëkëmbje e fuqishme në Evropë është parakusht esencial për garantimin e vet prosperitetit ekonomik të Gjermanisë.

“Scholzi mund të jetë nën presion për ta marrë rolin prijës mbi çështjet si krijimi i një politike të bazuar në solidaritet për sa u përket refugjatëve – gjë kjo që Merkeli nuk kishte arritur që ta bënte – si dhe sfidën e nxitjes së reformës mjedisore dhe bashkëdyzimin e saj me rritjen ekonomike”, ka shkruar “Guardian”, duke specifikuar se ai është më shumë pragmatik sesa vizionar, porse kjo gjë ka më shumë të ngjarë që t’u ofrojë garanci e jo t’i largojë homologët e tij të ardhshëm.

Emmanuel Macroni i Francës

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është spikatur me vizionin e tij për Evropën qysh nga zgjedhja e tij, duke qenë se ka argumentuar vazhdimisht që prej fjalimit madhor në Sorbonne më 2017 se BE-ja duhet t’i adresojë dështimet e veta: Siç ka thënë vetë, “është tepër e dobët, tepër e ngadaltë, tepër joefikase”.

Propozimet e tij – një mbrojtje e integruar e BE-së, reforma në eurozonë, politika e përbashkët e azilit, taksa digjitale – kanë shënuar progres të avashtë, duke u penguar pjesërisht nga koalicioni i paralizuar gjerman dhe nga instinktet e matura dhe konsensuale të Merkelit.

“Guardiani” ka analizuar se megjithëkëtë disa vëzhgues besojnë që largimi i kancelares Merkel qartazi do t’ia hapë rrugën presidentit ambicioz, të paduruar dhe nganjëherë edhe arrogant të Francës për ta mbushur boshllëkun e saj: Asnjë lider tjetër pos tij, thonë ata, nuk e ka ndikimin e Merkelit.

Në kulmin e krizës së këtij muaji me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australinë dhe Britaninë e Madhe lidhur me marrëveshjen e sigurisë AUKUS, e cila i kushtoi Francës me kontratën shumë miliarda-dollarëshe për nëndetëse, Macroni edhe njëherë kërkoi autonomi më të madhe evropiane teksa Kina po rritet e SHBA-ja po ripërqendrohet në Azi.

“Pas tërheqjes kaotike perëndimore nga Afganistani dhe debaklit AUKUS, përherë e më shumë liderë evropianë mund të jenë të vullnetshëm që të pajtohen se BE-ja duhet të jetë më pak e varur nga Washingtoni – por pak syresh duan që ta marrin rrezikun për t’i dëmtuar marrëdhëniet transatlantike teksa plani për ushtrinë e BE-së është ende shumë larg realizimit”, ka shkruar gazeta britanike.

Se sa larg do të mbërrijë Macroni në avancimin e agjendës së tij, kjo gjë do të varet kryesisht nga suksesi i presidencës gjashtëmujore të Francës me BE-në, e cila nis në janar, por natyrisht edhe nga suksesi i tij për ta siguruar një tjetër mandat në zgjedhjet presidenciale të prillit.

Edhe Momenti i Italisë në Evropën pa timon Botë 1 v. më parë Momenti i Italisë në Evropën pa timon

Ai, sipas “Guardianit”, s’ka dyshim se do të përpiqet për ta veshur mantelin e Merkelit. Por do t’i nevojiten partnerë për të ecur përpara dhe për të arritur kompromise e konsensuse: Të gjitha këto virtyte të Merkelit porse jo, të paktën deri më tani, edhe të Macronit.

Përgatiti: Nita Lleshi