Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

DPS-ja e Gjukanoviqit humb Podgoricën, opozita festoi me këngën “Gëzohu popull serb”

Të dielën në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet lokale, të cilat sollën befasi të pakëndshme për Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) e udhëhequr nga presidenti i këtij vendi, Milo Gjukanoviq.

Para së gjithash, befasia ndodhi në kryeqytet, Podgoricë, ku koalicioni i mbledhur rreth DPS-së, sipas të gjitha gjasave do të humbasë pushtetin, pasi ka shumë mundësi që të formohet një bllok opozitar i udhëhequr nga Jakov Milatoviq, shkruan portali “Klix” të hënën.

"Gëzuar lirinë, qytetarë të Podgoricës. Faleminderit për mbështetjen e Lëvizjes ‘Evropa tash’. Të fillojmë t'i zgjidhim problemet e qytetarëve të Podgoricës sa më shpejt, pa DPS-në. Ta bëjmë Podgoricën një vend më të mirë dhe më të drejtë për jetën e të gjithë qytetarëve sa më parë”, tha Milatoviq pas rezultateve preliminare.

Opozita thirri mbështetësit për festë në Podgoricë të dielën mbrëma dhe festoi me flamuj serbë dhe këngë nacionaliste si “Gëzohu popull serb”.

Në fakt, sipas rezultateve përfundimtare të Qendrës për Tranzicion Demokratik, koalicioni "Të gjithë për qytetin tonë" i Gjukanoviqit fitoi më së shumti vota në Podgoricë, 38.1 për qind, por fitues thelbësor i zgjedhjeve po shihet Lëvizja "Evropa tash", e udhëhequr nga ish-ministrat Jakov Milatoviq dhe Milojko Spajiq. Kjo lëvizje, e cila mori pjesë për herë të parë në zgjedhje, fitoi 21.7 për qind të votave, shkruan gazeta “Vijesti”.

Edhe Plenkoviqi fiton zgjedhjet në Kroaci Rajon Plenkoviqi fiton zgjedhjet në Kroaci

Fronti Demokratik fitoi 18.2 për qind të votave, koalicioni "Ecim, njerëz" i mbledhur rreth demokratëve fitoi 10.8 për qind dhe "Podgorica mundet" e kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, fitoi rreth 6.4 për qind.

Sipas rezultateve të QTD-së, koalicioni i mbledhur rreth partisë së Gjukanoviqit fitoi 24 mandate, "Evropa tash" 13, Fronti Demokratik 11, koalicioni rreth demokratëve 6 dhe koalicioni rreth lëvizjes URA 4. Kuvendi i Podgoricës ka 58 mandate, që do të thotë se për formimin e qeverisë duhen 30 dhe partia e Gjukanoviqit nuk i ka nëse nuk bën marrëveshje me ndonjë parti që tash llogaritet opozitare.

DPS-ja e Gjukanoviqit nuk shkëlqeu as në komunat e tjera në Mal të Zi. Rezultatet e zgjedhjeve treguan se ajo humbi pushtetin në shumicën e komunave në veri të vendit. DPS-ja do të qëndrojë në pushtet në Bjelopole dhe Plavë, ndërsa e humbi pushtetin në Plevle, Zhablak dhe Kollashin.

DPS-ja më 2020 humbi edhe pushtetin qendror.

VIDEO:
 

 

Edhe Dalin rezultatet e para të zgjedhjeve në Mal të Zi Arbëri Dalin rezultatet e para të zgjedhjeve në Mal të Zi