Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Dorëzohet” Hungaria, të hënën pritet ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Partia në pushtet në Hungari, Fidesz, ka propozuar të martën që Parlamenti të votojë për të ratifikuar kandidaturën e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n më 26 shkurt. Partia që udhëhiqet nga kryeministri Viktor Orban ka thënë se do ta mbështesë anëtarësimin e Suedisë.

Suedia aplikoi për t'iu bashkuar NATO-s gati dy vjet më parë, që ishte kthesë historike në politikat e saja neutrale. Kandidatura u nxit nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Pas një vonese të gjatë, Hungaria do të jetë anëtarja e fundit e NATO-s që do të miratojë kandidaturën e shtetit nordik për t'u bërë anëtari i 32-të i bllokut.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonsson, përshëndeti planet e Hungarisë për ta ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO. Hungaria mund të diskutojë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak me Suedinë nëse kryeministri i vendit skandinav, Ulf Kristersson, viziton Budapestin, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.